Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka publikuar një listë me 25 arritje që ia atribuon administratës së tij që prej rikthimit në detyrë në janar 2025. Në një postim në rrjetin social, Trump renditi politikat dhe veprimet e administratës në fusha si emigracioni, ekonomia, tregtia, siguria, mbrojtja dhe politika e jashtme.
Ndër të tjera, Trump deklaroi se ka arritur “kufijtë më të sigurt në histori” dhe se “asnjë emigrant i paligjshëm nuk është pranuar në Shtetet e Bashkuara në 16 muajt e fundit”.
“Unë arrita kufijtë më të sigurt në histori, asnjë emigrant i paligjshëm nuk është pranuar në Shtetet e Bashkuara në 16 muajt e fundit”, thotë Trump.
Trump iu referua gjithashtu vendimit për ta bërë anglishten gjuhën zyrtare të Shteteve të Bashkuara.
Në listën e tij, presidenti amerikan përmendi edhe politikat ndaj Iranit. Trump tha se, përmes dy operacioneve amerikane kundër Iranit, në qershor 2025 dhe gjatë konfliktit që vijoi pas sulmeve SHBA-Izrael të 28 shkurtit, Shtetet e Bashkuara kanë eliminuar aftësinë e Iranit për pasurimin e uraniumit.
“Unë eliminova aftësinë e Iranit për të pasuruar uranium”, në mënyrë që Republika Islamike “të mos fitojë kurrë armë bërthamore”, deklaroi Trump.
Trump iu referua gjithashtu tarifave të larta doganore që vendosi për importet e produkteve në SHBA nga shumë partnerë tregtarë, me qëllim “rimëkëmbjen e industrisë prodhuese amerikane”.
Ai shtoi se nënshkroi ligje për “uljet më të mëdha të taksave në historinë amerikane”.
Në fushën e politikës së jashtme, Trump theksoi se “në 12 muajt e parë unë përfundova 8 luftëra me marrëveshje historike paqeje, përfshirë luftën në Gaza”.
Ai deklaroi gjithashtu se arriti të “ktheja të gjithë pengjet e gjallë familjeve të tyre, si të gjallët ashtu edhe të vdekurit”, duke iu referuar pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës.
Në listën e publikuar prej tij, Trump përmendi edhe politika dhe masa të tjera që lidhen me ekonominë, sigurinë, ushtrinë, energjinë, arsimin dhe investimet në Shtetet e Bashkuara.
Postimi vjen ndërsa po afrohen zgjedhjet e mesit të mandatit të nëntorit, të cilat do të përcaktojnë nëse republikanët do të mbajnë kontrollin e Kongresit./mxh
