Një ushtar i forcave speciale amerikane është arrestuar pasi dyshohet se ka përfituar rreth 400 mijë dollarë duke vendosur baste mbi një operacion sekret për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.
Sipas autoriteteve amerikane, rreshteri Gannon Ken Van Dyke, pjesë aktive e ushtrisë dhe i stacionuar në Fort Bragg, akuzohet se ka përdorur informacione të klasifikuara për përfitim personal financiar.
Prokurorët argumentuan se Van Dyke hapi një llogari në platformën e basteve Polymarket në fund të dhjetorit, ku vuri rreth 32 mijë dollarë bast se Maduro do të largohej nga pushteti brenda janarit.
Në të njëjtën kohë, ai ishte i përfshirë në planifikimin dhe zbatimin e operacionit sekret të quajtur “Absolute Resolve”, që çoi në kapjen e liderit venezuelian. Ai dyshohet se realizoi 13 baste brenda pak ditësh, me fitimet që kaluan 400 mijë dollarë.
Sipas hetimeve, ushtari i transferoi fitimet në një portofol kriptomonedhash jashtë vendit dhe më pas i kaloi në një llogari brokerimi online, në përpjekje për të fshehur origjinën e tyre.
Ai përballet me disa akuza penale, përfshirë mashtrim dhe keqpërdorim të informacionit të klasifikuar.
Operacioni amerikan përfundoi me kapjen e Nicolás Maduro nga pallati presidencial në Karakas, pas një ndërhyrjeje gjatë natës. Maduro u dërgua në Neë York, ku përballet me akuza federale për trafik droge dhe është deklaruar i pafajshëm.
Prokurorët amerikanë theksuan se përdorimi i sekreteve shtetërore për përfitim personal është një shkelje e rëndë. Ndërkohë, edhe platforma Polymarket deklaroi se e kishte raportuar rastin tek autoritetet sapo identifikoi aktivitet të dyshimtë.
Presidenti amerikan Donald Trump reagoi në lidhje me ngjarjen, duke e krahasuar rastin me skandalin e basteve në sport. “Kjo është si rasti i Pete Rose,” tha ai, duke shtuar se fenomeni i basteve mbi ngjarje globale është në rritje.
Rasti ka rikthyer debatin mbi tregjet e parashikimeve, ku përdoruesit vendosin baste mbi zhvillime politike dhe ushtarake. Ligjvënësit amerikanë po shqyrtojnë masa të reja për të forcuar rregullimin dhe për të ndëshkuar më ashpër përdorimin e informacionit të brendshëm.
