Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka hedhur poshtë spekulimet se kapja e udhëheqësit venezuelian Nicolas Maduro kishte për qëllim ta bënte më të lehtë për kompanitë amerikane të naftës të bënin marrëveshje pasi ai të ishte larguar.
“Ajo që ndodhi këtu është se ne arrestuam një trafikant narkotikësh i cili tani do të dalë në gjyq në Shtetet e Bashkuara për krimet që ka kryer kundër popullit tonë për 15 vjet”, tha Rubio kur u pyet nëse ky veprim u bë për të favorizuar kompanitë e naftës.
“Sa i përket naftës… industria e naftës (e Venezuelës) është shkatërruar plotësisht. Ka shkatërruar të gjitha ato fusha nafte që dikur prodhonin shumë pasuri për vendin dhe popullin e tyre. Këto gjëra janë të rrënuara. Janë të falimentuara. Ato duhet të riinvestohen, është e qartë se nuk kanë aftësinë ta ringjallin atë industri. Ata kanë nevojë për investime nga kompani private që do të investojnë vetëm nën garanci dhe kushte të caktuara”, tha Rubio.
Në emisionin “This Week” të ABC-së, Rubio tha se nuk ka pasur ende komunikime të drejtpërdrejta me kompanitë e naftës, por se ka folur me sekretarët e Departamenteve të Brendshme dhe të Energjisë, të cilët do të jenë në kontakt me kompanitë, dhe parashikon interes dramatik nga kompanitë perëndimore dhe kompanitë jo-ruse, jo-kineze.
“Rafineritë tona në Bregun e Gjirit të Shteteve të Bashkuara janë më të mirat për sa i përket rafinimit të kësaj nafte të rëndë bruto”, tha Rubio.
“Dhe në fakt ka pasur mungesë të naftës së rëndë bruto në të gjithë botën, kështu që mendoj se do të kishte kërkesë dhe interes të jashtëzakonshëm nga industria private nëse do t’i jepej hapësira për ta bërë këtë”, shtoi ai./mxh
