Modelja e njohur Kejvina Kthella është përfshirë në një situatë të pakëndshme pas një konflikti financiar me një person të afërt të saj. Sipas raportimeve, ajo ka kallëzuar në polici një mike të ngushtë, duke pretenduar se i ka marrë 8 mijë euro dhe nuk ia ka kthyer më.
Bëhet fjalë për Anela Osmanin nga Gramshi, ndaj së cilës Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime për veprën penale të mashtrimit. Çështja është referuar në organet e drejtësisë në fillim të majit 2026, ndërsa gjykata ka vendosur ndaj saj masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Sipas dëshmisë së Kejvinës, paratë ishin kursime personale dhe ajo ia kishte lënë në mirëbesim shoqes së saj për t’i ruajtur për disa ditë, pasi do të largohej nga Tirana. Modelja ka pretenduar se nuk dëshironte t’i mbante në banesë gjatë mungesës së saj.
Pas kthimit, ajo i ka kërkuar shumën mikes së saj, por sipas kallëzimit ka marrë justifikime të ndryshme. Fillimisht është pretenduar se paratë ndodheshin në një kasafortë që nuk hapej për shkak të kodit të harruar. Më pas, sipas dosjes hetimore, është deklaruar se shuma ishte depozituar në bankë, por nuk mund të tërhiqej për shkak të bllokimit të llogarisë.
Pas këtyre shpjegimeve, Kejvina Kthella vendosi t’i drejtohej policisë, duke kërkuar ndjekje ligjore ndaj shoqes së saj. Ndërkohë, avokatët mbrojtës të Anela Osmanit kanë mohuar ekzistencën e një vepre penale, ndërsa hetimet për rastin vijojnë./mxh
