Përdorimi i ChatGPT dhe chatbotëve të tjerë me Inteligjencë Artificiale është bërë pjesë e jetës së përditshme për miliona njerëz. Por ekspertët e privatësisë paralajmërojnë se përdoruesit shpesh nënvlerësojnë sasinë dhe ndjeshmërinë e informacionit që mund të ndajnë gjatë një bisede me AI.
Sipas ekspertëve të cituar nga HuffPost, janë pesë kategori informacioni me të cilat përdoruesit duhet të tregohen veçanërisht të kujdesshëm.
Të dhënat që mund t’ju identifikojnë
Emri i plotë, adresa e banimit, numri i telefonit dhe numrat e dokumenteve zyrtare, si pasaporta apo patenta, konsiderohen informacione personale identifikuese. Ekspertët paralajmërojnë se ndarja e tyre me një chatbot mund të sjellë rrezik që të dhënat të regjistrohen ose përpunohen në mënyra që mund t’i ekspozojnë përdoruesit ndaj vjedhjes së identitetit, mashtrimeve “phishing” apo përdorimit të të dhënave nga palë të tjera. Këshillohet që të dhënat identifikuese të hiqen edhe nga dokumentet që ngarkohen në chatbot.
Detajet intime të jetës personale
Biseda me një chatbot mund të duket më personale sesa një kërkim tradicional në internet, pasi AI komunikon drejtpërdrejt me përdoruesin. Sipas ekspertëve, kjo mund të krijojë një ndjesi të rreme sigurie dhe t’i bëjë njerëzit më të gatshëm të tregojnë informacione shumë personale. Ata paralajmërojnë se të dhënat e ndjeshme të ndara në këto biseda nuk duhet të trajtohen sikur po i tregohen një personi të besuar apo profesionisti që ka detyrim ligjor ruajtjen e konfidencialitetit.
Informacionet dhe dokumentet mjekësore
Shumë njerëz po përdorin chatbotët për të kërkuar informacion mbi shëndetin, por ekspertët tërheqin vëmendjen edhe për privatësinë. Ata rekomandojnë të mos ndahen dokumente shëndetësore apo të dhëna personale mjekësore pa hequr më parë informacionet që mund të identifikojnë pacientin. Artikulli thekson gjithashtu se shumica e chatbotëve të zakonshëm nuk kanë të njëjtat detyrime ligjore për ruajtjen e privatësisë si profesionistët e kujdesit shëndetësor.
Informacionet konfidenciale të punës
Ekspertët paralajmërojnë punonjësit që të mos vendosin në chatbotë të dhëna të brendshme të kompanisë, raporte konfidenciale, informacione për klientët, kode burimore apo materiale që mbrohen nga marrëveshje konfidencialiteti. Sipas tyre, edhe një kërkesë e vetme që përmban të dhëna të ndjeshme mund të krijojë probleme kontraktuale ose rregullatore për kompaninë apo punonjësin.
Informacionet financiare
Të dhënat bankare, informacionet mbi llogaritë e investimeve, kartat e kreditit, dokumentet mbi të ardhurat dhe deklaratat tatimore janë një tjetër kategori që ekspertët këshillojnë të mos ndahet me chatbotët. Nëse informacione të tilla ekspozohen, ato mund të përdoren për mashtrime ose sulme të personalizuara ndaj përdoruesit dhe familjes së tij.
Ekspertët rekomandojnë që përdoruesit të kontrollojnë cilësimet e privatësisë së chatbotëve dhe të kufizojnë, kur platforma e lejon, përdorimin e bisedave për trajnimin e modeleve. Një tjetër këshillë është përdorimi i pseudonimeve dhe përshkrimeve të përgjithshme në vend të emrave dhe të dhënave konkrete, në mënyrë që AI të marrë kontekstin e nevojshëm pa iu dhënë informacione të panevojshme personale ose konfidenciale.
