Këshilli i Sigurimit Kombëtar pritet të mblidhet sërish në fund të tetorit, rreth një muaj pas mbledhjes së fundit. Sipas burimeve, vijojnë diskutimet mes kryeministrit Rama dhe Presidentit Begaj për emrin që mund të marrë drejtimin e SHISH pas shkarkimit të Vlora Hysenit, ndaj të cilës Gjykata e Posaçme vendosi dy masa sigurie, “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra”.
Deri tani nuk ka një emër zyrtar të propozuar nga kryeministri për t’u dekretuar më pas nga kreu i shtetit, edhe pse kanë qarkulluar disa emra, mes tyre persona me eksperiencë në strukturat e NATO-s apo në fushën e sigurisë kombëtare.
Burimet bëjnë me dije se në mbledhjen e radhës së Këshillit të Sigurimit Kombëtar pritet të bëhet një analizë e situatës dhe e detyrave të lëna për institucionet në takimin e fundit.
Në fokus do të jetë edhe verifikimi i pretendimeve për cenimin e sigurisë kombëtare dhe nëse nga situata e krijuar kanë dalë informacione të klasifikuara. Sipas burimeve, nga ana e SHISH janë mohuar deri tani pretendimet për nxjerrje të informacioneve të klasifikuara.
Në mbledhjen e kaluar, i pranishëm ishte edhe kreu i SPAK, Klodjan Braho dhe drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita./ad
