Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka njoftuar planet për zgjerimin e arsenalit bërthamor të vendit me një ritëm “eksponencial”, raportoi BBC.
Deklarata vjen në një moment me rëndësi të veçantë diplomatike, pasi presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka mbërritur në Phenian për vizitën e tij të parë zyrtare, në Korenë e Veriut që nga viti 2019.
Vizita zhvillohet në një periudhë kur marrëdhëniet rajonale janë në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Gjatë takimeve mes Xi dhe Kim, pritet të diskutohen çështje të tilla si çarmatimi bërthamor, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tensionet në Gadishullin Korean.
Presidenti kinez u prit me ceremoni të larta shtetërore nga Kim Jong Un dhe bashkëshortja e tij, si dhe nga një gardë nderi dhe turma qytetarësh, që valëvitnin flamujt e Kinës dhe Koresë së Veriut.
Sipas medieve shtetërore kineze, Xi Jinping vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke deklaruar se ato ndodhen në një “pikë të re historike” dhe se Pekini dhe Pheniani po përballen me “misione të reja të kohës”.
Vizita pason kontaktet e fundit diplomatike të Kinës me fuqitë kryesore botërore.
Xi zhvilloi takime të ndara me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, ndërsa ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, vizitoi Phenianin në prill, ku Kim Jong Un shprehu gatishmërinë, për të forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me Pekinin.
Analistët e shohin këtë vizitë, si pjesë të përpjekjeve të Kinës, për të rikonfirmuar ndikimin e saj ndaj një aleati strategjik, por shpesh të paparashikueshëm, i cili vitet e fundit ka afruar ndjeshëm marrëdhëniet me Rusinë./mxh
