Kim Kardashian po hyn në botën e Broadway-t. Ylli i The Kardashians i është bashkuar ekipit të produksionit të shfaqjes The Fear of 13, një dramë me aktorë si Adrien Brody dhe Tessa Thompson, që trajton historinë e dënimit të gabuar të Nick Yarris.
Në një video të publikuar në Instagram Story më 13 prill, Kardashian tha se reforma në drejtësinë penale ka qenë një mision personal për të prej më shumë se një dekade.
“Për 10 vitet e fundit, reforma në drejtësinë penale ka qenë një mision shumë personal për mua. Kam parë nga afër si sistemi mund të dështojë dhe jam angazhuar të luftoj për ata që janë heshtur,” u shpreh ajo.
Ajo theksoi se historia e Nick Yarris i cili kaloi 22 i dënuar para se të shpallej i pafajshëm përmes testimit të ADN-së në vitin 2003 e ka prekur thellë dhe e ka shtyrë të sjellë këtë histori në skenë.
“Teatri ka një fuqi unike për të na prekur. Kur e përjeton një histori si kjo drejtpërdrejt, ajo të mbetet gjatë dhe të bën të shohësh njeriun pas statistikave,” tha Kardashian.
Në një deklaratë, 45-vjeçarja shtoi se shfaqja synon të hapë një debat të vërtetë mbi kuptimin e drejtësisë.
“Është një vështrim i sinqertë dhe i ashpër mbi dënimin e gabuar të Nick Yarris dhe dështimet sistematike që e mbajtën atë në burg,” u shpreh ajo. “Jam shumë krenare që bëj debutimin tim si producente në Broadway me një projekt kaq të rëndësishëm.”
The Fear of 13 është përshtatur nga dokumentari i vitit 2015 me të njëjtin emër dhe lidhet edhe me angazhimin e saj të vazhdueshëm në reformën e drejtësisë penale.
Në vitet e fundit, Kardashian ka zgjeruar aktivitetin e saj edhe në aktrim, duke luajtur në serialin All’s Fair të Ryan Murphy, së bashku me Glenn Close, Sarah Paulson, Teyana Taylor, Naomi Watts dhe Niecy Nash-Betts. Ajo ka marrë vlerësime për përkushtimin dhe disiplinën e saj në xhirime, ndërsa koleget e saj e kanë përshkruar si shumë të punëtore dhe të përqendruar./mxh
