Qeveria kineze ka vendosur të ndalojë praktikën e ruajtjes së eshtrave të të afërmve në apartamente të zbrazëta, një fenomen i njohur si “apartamentet e hirit të të vdekurve”, për shkak të mungesës së hapësirave në varreza dhe çmimeve të larta.
Në një artikull, BBC shkruan se sipas ligjit të ri, pronat rezidenciale nuk mund të përdoren specifikisht për vendosjen e hirit, as nuk lejohet varrosja jashtë varrezave ose zonave të lejuara për varrim ekologjik. “Apartamentet e hirit” janë një praktikë ku njësitë e zbrazëta shndërrohen në vende ritualesh nga familjarët e të ndjerëve, duke u bërë një alternativë më e përballueshme ndaj varrezave të shtrenjta.
Shumë familje zgjedhin këtë mënyrë për shkak të çmimeve të ulëta të pronave. Në krahasim, në qytete si Pekini, çmimet e varrezave janë të larta dhe shpesh me kontrata afatshkurtra që duhet të rinovohen çdo 20 vjet. Një hapësirë në Varrezat Changping Tianshou kushton nga 10 mijë yuan për varrime ekologjike deri në 300 mijë yuan për hapësira standarde. Edhe shpenzimet e funeraleve janë të larta, duke arritur afërsisht gjysmën e pagës vjetore mesatare në vitin 2020.
Ndalimi vjen pak ditë para Festivalit Qingming, ditës tradicionale kur familjet vizitojnë varrezat dhe bëjnë ofrime për të ndjerit. Autoritetet, përfshirë Administratën Shtetërore për Rregullimin e Tregut dhe Ministrinë e Çështjeve Civile, kanë njoftuar gjithashtu rregulla të reja për industrinë e funeraleve për të rritur transparencën dhe për të parandaluar mashtrimet, me qëllim “të reduktohet barra financiare e funeraleve për popullin”.
Në rrjetet sociale, përdoruesit kanë shprehur shqetësim për zbatimin e ligjit, duke pyetur se si do të monitorohen apartamentet që përdoren për ruajtjen e eshtrave dhe nëse do të ofrohen alternativa më të përballueshme për varreza./mxh
