Last Updated on 28/04/2026 by Anisa
Balerinët e mirënjohur shqiptarë Kledi Kadiu dhe Dorian Grori do të sjellin në Shqipëri edicionin e parë të “International Ballet Competition Albania”, një ngjarje ndërkombëtare që synon të kthehet në pikë referimi për artin e baletit në rajon dhe më gjerë.
Eventi do të mbahet më 4 dhe 5 dhjetor 2026 në Tiranë, duke mbledhur talente nga vende të ndryshme të botës dhe duke e vendosur Shqipërinë në hartën e kompeticioneve prestigjioze të kërcimit.
Programi do të zhvillohet në dy ditë: më 4 dhjetor do të organizohet një workshop pranë Shkollës Kombëtare të Baletit, ndërsa më 5 dhjetor do të mbahet konkursi në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, përcjell KultPlus.
Një nga pikat kyçe të këtij eventi është pjesëmarrja e një jurie dhe trupe pedagogësh të nivelit të lartë ndërkombëtar, ku përfshihen emra të njohur si Frédéric Olivieri, Paola Vismara dhe Michele Merola.
Kjo nismë shënon fillimin e një projekti afatgjatë që synon të krijojë një platformë të qëndrueshme për zhvillimin e talenteve të rinj dhe për shkëmbime artistike ndërkombëtare.
Organizimi i këtij kompeticioni realizohet me mbështetjen e institucioneve kryesore kulturore në vend, duke reflektuar një bashkëpunim të rëndësishëm në funksion të zhvillimit të artit dhe promovimit të baletit në Shqipëri.
