Last Updated on 23/09/2026 by EL
Gazetarja Klodiana Lala ka bërë një tjetër paralajmërim sa i përket ditëve që do vijnë pas të cilat do të jenë të mbushura me zhvillime dhe goditje nga strukturat e drejtësisë. E dtuar mbrëmjen e së martës në emisionin “Opinion”, ku po diskutohej operacioni i SPAK që goditi ish-kreun e SHISH, Vlora Hyseni, Lala deklaroi se ajo që është bërë publike deri më tani mund të jetë vetëm fillimi i një serie zhvillimesh të tjera.
Gjatë diskutimit, gazetarja iu drejtua drejtuesit të emisionit, Blendi Fevziut, duke i kërkuar të mbante shënim paralajmërimin e saj për atë që pritet të ndodhë në ditët në vijim.
Sipas Lalës, brenda mazhorancës ka përplasje të cilat mund të përfundojnë me publikimin e informacioneve të reja dhe të papritura.
Në këtë kontekst, gazetarja përmendi edhe biznesmenin kontrovers Ergys Agasi, për të cilin tha se është një person me ndikim dhe se ka njerëz të emëruar në fusha të ndryshme të administratës shtetërore.
“Mbaje këtë deklaratën, Fevzi, se do të duhet. Janë dy klane që po përplasen më së forti brenda mazhorancës dhe ke për të parë se, duke sulmuar njëri-tjetrin, do të dalin të dhëna që as nuk do ta kishe imagjinuar ndonjëherë që mund të shohin ditën e publikimit”, deklaroi Lala, duke shtuar më tej se “shteti është shkërmoqur”.
Në vijim të diskutimit, ajo deklaroi se mund të vijë një moment kur kryeministri Edi Rama të përballet drejtpërdrejt me pasojat e këtyre zhvillimeve.
“Unë mendoj që do vijë momenti kur zoti Rama do të jetë përballë tyre”, tha më tej ajo./et
