Last Updated on 03/04/2026 by EL
Nga Ermal Mulosmani
Ajo që po ndodh në Kosovë është si një teatër absurd. Ka një ndryshim të paimagjinueshëm perceptimi dhe rrëfimi. Nëse në periudhën e parë të pasluftës dhe deri vonë, gjatë kohës kur Partia e UÇK-së ishte forcë e parë politike, rrëfimi kryesor ishte heroizmi veletitës i udhëheqësve të UÇK-së, tani është kthyer në modë deheroizmi, urrejtja ndaj “heronjve”.
Ajo që i ndodhi dje Ramush Haradinajt, njeriut të dytë kryesor të Luftës, pasuesit më të denjë të Adem Jasharit, ishte dëshpëruese për të mos thënë neveritëse!
Kryetarja e Parlamentit së bashku me një Ministre, iu lëshuan si hiena sapo ai e quajti Albin Kurtin “mashtrues” së pari dhe ia ndërprenë fjalën me dhunën e pushtetit kur i quajti “zagarë” ata që po paguhen prej pushtetit për të fyer “shqiptarë”!
Albin Kurti kishte ngrysur vetullat dhe kishte veshur mantelin e seriozitetit ekstrem, një mrrolje që sinjalizonte “aksion”.
Sa e trishtueshme!
Fjalimi i Hajradinajt mund të mos ishte më i miri i mundshme nga pikëpamja gjuhësore apo etike. Mirëpo, në atë Parlament,unë kam dëgjuar një gjuhë ku e ku më agresive prej shumë deputetëve të sotëm pushtetarë kur ishin në Opozitë. Të merrnin gjak në vetull dhe lëshonin ulërima persekutimi. Ajo e Ramushit dje ishte një retorikë krejt e pranueshme. Por, siç thashë edhe më lart, nuk ishte gjuha e Ramushit arsyeja e kundërshtisë së zonjave me pushtet.
Ishte Ramushi.
Bezdia e tyre, për të dëgjuar edhe një herë një eksponent të luftës, një emër legjendar të saj, duke folur si zë i rëndësishëm i Kosovës së sotme, ishte bezdia që u shkakton atyre heroizmi!
Heroizmit i ka kaluar koha, ai është një gjë për tu përçmuar. Koha e sotme është e dezertorëve. Duhet ta shijojnë të plotë. Ëndrra e tyre është që ta fusin në burg Ramushin si hajdut sapo të fillojë punën Ligji i ri i konfiskimit të Pasurisë. Të ulin çdo vlerë të luftës, ta katandisin atë si një luftë kriminelësh, hajdutësh, vrasësish, e aventurierësh të dhunshëm. Kur t’ia arrijnë asaj dite do të ndihen të lirë.
Në fakt një konkluzion i tillë i bën mirë më së pari retorikës serbe. Siç thotë Kundera, në emër të modernitetit apo interesave të vogla, “do bëhesh aleat me varrmihësin tënd” .
Nëse Ramushi, Thaçi, Selimi, Krasniqi, Limaj etj dalin të tillë, historia e lirisë së Kosovës kompromentohet rëndë. Kthehet në një luftë banditësh që kanë marrë peng popullin në dëshirën e tyre për protagonizëm. Në afat të shkurtër kjo do të ishte një fitore për këtë pushtet.
Por në afat të gjatë, në historinë e pas 50 viteve, kosovarët do të skuqen nga turpi për këtë sjellje. Edhe Ibrahim Rugovën e ulën poshtë Thaçi me shokë. E denigruan, poshtëruan, shanë. Nuk lanë gjë pa thënë për të. I refuzuan për turpin e tyre edhe nderimet shtetërore në një ditë të acartë.
Por vetëm për ca kohë. Pastaj e nderuan, i shkuan te varri. Duke filluar nga Hashim Thaçi deri te Albin Kurti. Megjithëse të dy nuk e takonin sa ishte gjallë.
Koha i rivendos gjërat në vendin e vet. Nëse Adem Jashari do të ishte gjallë dhe në Parlament dje, jam i sigurtë që e njëjta sjellje do të ishte. Imagjinojeni Albulenën ose Donikën duke ia ndërprerë fjalën Jasharit apo edhe më keq, duke i treguar një gjest padurimi e neverie si ai që tregoi zonja Gërvalla…
Sjellja e Albulena Haxhiut dje ishte argumenti më i mirë për qëndrimin refuzues të të gjith Opozitës ndaj emrit të saj si Kryetare Parlamenti. Pa bërë asnjë muaj në atë post të lartë ajo dëshmoi se është njeriu më i papërshtatshëm për të. Një urryese e zellshme, një shërbëtore pa dinjitet i një despoti vocërrak.
Në Historinë e Kosovës emri i Ramush Haradinajt dhe familjes së tij e ka vendin në Panteon. Ndërsa Albulena dhe Donika do të kujtohen si instrumente të vogla e pa dinjitet të një pushtetari meskin.
Ramushi është më i madh se krejt VV-ja.
