Last Updated on 13/10/2026 by Klara
Nga Afrim Krasniqi
Zgjohen në mëngjes, u vjen një ide, dalin para mediave dhe e thonë si ta ndjejnë. Media e përcjell, – quhet ide reformatore dhe, as më pak e as më shumë, kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Sa deputetë? 120. Pastaj 101. Pastaj 100. Në rastin konkret, e kundërta: reforma nisi me angazhimin për 100 dhe përfundoi (deri sot në mëngjes) me 120. Të shohim, kemi edhe ditë të tjera përpara!
Në fakt, Shqipëria ka afërsisht të njëjtin numër votuesish pjesëmarrës në zgjedhje me Moldavinë: rreth 1,66 milionë kundrejt 1,61 milionëve, por Shqipëria ka një parlament me 39 mandate më shumë se Moldavia. Natyrisht, ne kemi edhe më shumë deputetë se Sllovenia (90), Kosova (120), Maqedonia e Veriut (120), etj. Krahasime që nxjerrin në pah disproporcionalitetin edhe në zonën ku jetojmë.
Problemi ynë, megjithatë, nuk është vetëm numri. Mbi të gjitha është cilësia e përfaqësimit. Në Shqipëri, disiplina partiake shpesh kthehet në bindje mekanike dhe votimi në bllok konsiderohet madje vlerë demokratike, edhe kur vendimet kanë pasoja negative për shtetin dhe shoqërinë. U tha edhe mbrëmë në media, kartoni nuk është i imi, është i partisë! E kishte fjalën për mandatin parlamentar, i cili sipas Kushtetutës është personal, i padelegueshëm. Kështi, deputeti, që duhet të përfaqësojë qytetarët dhe të kontrollojë qeverinë, në praktikë shpesh reduktohet në zbatues të vendimeve të marra jashtë Kuvendit.
Thjesht një numër, në vend që të ishte një institucion.
A duhet ndryshuar Kushtetuta? Po. A duhen më pak deputetë? Po, dukshëm më pak, ndoshta sa Sllovenia (90), apo edhe më pak. Kur Shqipëria caktoi parlamentin me 140 deputetë, në vitin 1992, kishte rreth 3.5 milionë banorë. Sot ka rreth 2,3 milionë rezidentë dhe vetëm 1,66 milionë votues (2025). Popullsia ka ndryshuar ndjeshëm, numri i mandateve dhe i partive jo. As liderit. As akordi 2008 për emërim parlamenti.
Por ndryshimi nuk duhet të jetë vetëm numerik. Duhet të jetë thelbësor: forcim i rolit të parlamentit në sistemin politik, rikthim i konceptit të deputetit të zgjedhur, në vend të atij të emëruar nga drejtuesit partiakë, konkurrim dhe procese paraprake zgjedhore brenda partive për përzgjedhjen e kandidatëve, si dhe më shumë garanci që ata që hyjnë në Kuvend së paku ta kenë lexuar Kushtetutën, ta njohin ligjin, ta kuptojnë draftligjin që votojnë dhe të kenë minimalisht një vit përvojë konkrete pune në shtet, për ta njohur mënyrën si funksionon shteti. Sepse parlamenti nuk është thjesht një sallë me 140, 120 apo 100 karrige.
Është institucioni që duhet të përfaqësojë qytetarët, të bëjë ligje, të kontrollojë qeverinë dhe të mbrojë interesin publik.
Përndryshe, ulja formale e numrit të deputetëve, duke vijuar praktikën e emërimit të “deputetëve të kartonit”, nuk përbën reformë, nuk sjell përfaqësim më të mirë, nuk krijon parlament më aktiv dhe as demokraci më funksionale.
Shqipërisë nuk i duhet thjesht një parlament më i vogël. I duhet një parlament që funksionon si parlament.
