Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha theksoi sot potencialin e inteligjencës artificiale për modernizimin e administratës së ekzekutivit të BE-së, përmirësimin e metodave të punës dhe lehtësimin e shërbimeve për bizneset dhe qytetarët.
Duke folur në një konferencë për media në Bruksel, së bashku me komisionerin evropian për Buxhetin, Luftën kundër Mashtrimit dhe Administratën Publike, Piotr Serafin si dhe Catherine Day, kryetare e Grupit të Nivelit të Lartë për të Ardhmen e Shërbimit Civil të Komisionit, Von der Leyen tha se përparimet teknologjike ofrojnë mundësi të reja për përmirësimin e proceseve administrative dhe rritjen e efikasitetit të BE-së.
“Inteligjenca artificiale ofron mënyra të reja pune, mënyra të reja për përmirësimin e proceseve dhe gjetjen e rrugëve për ta bërë funksionimin e Bashkimit Evropian më pak të rënduar për bizneset dhe qytetarët”, tha ajo.
Ajo shtoi se KE-ja duhet t’i pajisë punonjësit me aftësitë dhe mjetet e nevojshme për ta shfrytëzuar sa më mirë inteligjencën artificiale, duke investuar njëkohësisht në zhvillimin e talenteve, thjeshtimin e shërbimeve dhe përdorimin më të mirë të teknologjisë.
“Duhet t’u japim kolegëve tanë aftësitë dhe mjetet për ta përdorur atë sa më mirë si dhe duhet të zhvillojmë talentet, të thjeshtojmë shërbimet dhe të përdorim më mirë teknologjitë”, tha Von der Leyen.
Ajo nënvizoi nevojën që KE-ja të veprojë “në mënyrë efektive dhe të shpejtë”. Sipas saj, thjeshtimi i procedurave, qartësimi i strukturave dhe përmirësimi i bashkëpunimit ndërmjet departamenteve do t’u mundësonin punonjësve të përqendrohen në fushat ku mund të japin kontributin më të madh.
Von der Leyen identifikoi si përparësi të dytë të KE-së shfrytëzimin sa më efikas të çdo euroje, duke theksuar nevojën për të siguruar që shpenzimet publike të sjellin vlerë të shtuar dhe rezultate konkrete, veçanërisht në një kohë kur evropianët vazhdojnë të përballen me presionin e kostos së jetesës.
“Synimi ynë mbetet i qartë: të ofrojmë shërbimin publik më të mirë të mundshëm për qytetarët tanë evropianë”, tha presidentja e KE-së./mxh