Last Updated on 09/08/2026 by EL
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka reaguar pas deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili gjatë vizitës në Beograd rikonfirmoi se Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Në një postim në rrjetin social X, Konjufca tha se Prishtina e pret me keqardhje këtë qëndrim, duke theksuar mbështetjen që Kosova i ka dhënë Ukrainës që nga nisja e pushtimit rus.
“Që nga dita e parë e agresionit të plotë të Rusisë, Kosova ka qëndruar pa mëdyshje në krah të Ukrainës”, shkroi Konjufca.
Ai kujtoi se Kosova ka dënuar pushtimin rus, është rreshtuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, si dhe ka ofruar ndihmë humanitare, strehim për gazetarët ukrainas, ndihmë ushtarake dhe trajnim.
Konjufca vuri në dukje gjithashtu se Serbia, ndryshe nga Kosova, nuk është rreshtuar me sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Ministri në detyrë i Jashtëm i Kosovës theksoi se nuk mund të bëhet asnjë paralele mes Kosovës dhe pushtimit rus të Ukrainës, duke nënvizuar se Prishtina mbetet e palëkundur në mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
Në fund të reagimit, Konjufca tha se Kosova do ta mirëpriste njohjen e pavarësisë së saj nga Ukraina.
Sipas tij, një vendim i tillë do të forconte pikërisht parimet e lirisë, demokracisë dhe të drejtës ndërkombëtare që Ukraina po mbron sot./et
