Last Updated on 01/10/2026 by Klara
Kryeministri Rama është i pranishëm në prezantimin e 5 projekteve për konkursin e “Tirana Fountain Plaza” që synon rikonceptimin e “Parkut Rinia” në kryeqytet.
“Jemi këtu sërish duke bërë atë që dijmë të bëjmë më mirë: të ndërtojmë ëndrra. Sot jemi këtu për një zhvillim tjetër të asaj godine që ka nevojë të transformohet për të adresuar nevojat dhe ambiciet e një qyteti që sot nuk është më ai që ishte kur u krijua ‘Parku Rinia’ apo kur u ndërtua ‘Tajvani’, as në vitet 2000 kur mori një tjetër volum, por në një kohë kur nevojat dhe ambiciet janë më të mëdha. Është një projekt i sipërmarrjes private në një pronë private, që për arsye se zhvillohet në zemër të parkut, brenda perimetrit të pronës private, aty ku jemi në kushtet që duhet rindërtuar, por nga ana tjetër, ndërtimi do të ketë një impakt të rëndësishëm në gjithë hapësirën përreth, po zhvillojmë një konkurs ndërkombëtar. duke besuar shumë fort që me arkitektët në dispozicion të kësaj sfide, do të bëjmë një zgjedhje që do të jetë më e mira e mundshme për zhvillimin e asaj prone dhe vetë kryeqytetin.
Nuk mund të rri dot sot pa thënë se unë vazhdoj të besoj se rruga që kemi zgjedhur për të ftuar në Shqipëri dhe përfshirë në këtë fazë historike ëndrrash dhe ambiciesh të mëdha arkitektë ndërkombëtarë, është rruga më e mirë për të nesërmen. Duke qenë se kjo rrugë është vënë nën agresionin e një pjese të caktuar apo medias së interesuar ndërkombëtare, dua të ndaj me ju disa shkëmbime që i kemi pasur në ditët e fundit me një gazetar të njohur që paraqitet si kritik i arkitekturës që kishte çuar një sërë pyetjesh që në këndvështrimin tim janë të pabesueshme për nga sipërfaqësia dhe mendjelehtësia. Nuk është ai fajtori, por mënyra krejt e shtrembër e të parit”, tha Rama./k.m
