Last Updated on 05/08/2026 by EL
Qeveria e Koresë së Jugut miratoi më 4 gusht një reformë të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, e cila u heq prokurorëve të drejtën për të zhvilluar hetime të drejtpërdrejta.
Sipas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, kompetencat hetimore do t’i kalojnë ekskluzivisht policisë, ndërsa prokuroria do të ketë të drejtë vetëm të kërkojë zhvillimin e hetimeve shtesë, të cilat duhet të përfundojnë brenda dy muajve.
Presidenti Lee Jae Myung e cilësoi reformën si hapin e parë drejt “normalizimit të sistemit të drejtësisë”, duke argumentuar se për dekada me radhë prokurorët kanë pasur kompetenca të tepërta, të cilat në disa raste janë përdorur në mënyrë selektive ose janë keqpërdorur.
Ai theksoi se nuk sheh arsye për të vendosur veto ndaj ligjit, pasi, sipas tij, ai nuk bie ndesh me Kushtetutën dhe nuk cenon ndarjen e pushteteve.
Megjithatë, kreu i shtetit pranoi se kalimi i plotë i kompetencave hetimore te policia mund të sjellë sfida të reja. Për këtë arsye, ai kërkoi krijimin e mekanizmave shtesë që do të garantojnë transparencën, efektivitetin e hetimeve dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve.
Lee nënvizoi se prokurorët duhet të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në mbrojtjen e interesit publik dhe të drejtave të njeriut.
Nga ana e tij, drejtori në detyrë i Policisë Kombëtare, Yoo Jae-seong, deklaroi se institucioni do të ndërmarrë masa për të rritur besimin e publikut përpara hyrjes në fuqi të reformës më 2 tetor.
Ai premtoi më shumë transparencë në proceset hetimore, dokumentimin e plotë të procedurave, bashkëpunim të ngushtë me prokurorinë dhe shmangien e konflikteve të interesit, duke përjashtuar oficerët nga hetimi i çështjeve që lidhen me familjarët e tyre./et
