Nga Niazi Jaho
Në Vendimin e ndërmjetëm të datës 9.3.2026 thuhet se: “Vendimi unifikues nr. 7, datë 14.10.2011 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë mbi masat e sigurimit personal ka patur rol orientues në praktikën gjyqësore”. Në fakt ne mendojmë edhe në kohën kur ai është miratuar mungesat dhe defektet e tij kanë qenë evidente dhe pjesërisht të përgjithshme. Këtë e bëjnë të qartë formulimet që do të përmenden dhe do të citohen më poshtë:
Në Vendimin unifikues të vitit 2011 thuhet se: “Si në rastin kur masa e sigurimit caktohet për herë të parë ashtu edhe kur shqyrtohet zëvendësimi i masës ekzistuese, gjykata nuk ka detyrimin të analizojë me hollësi përse masat e tjera nuk janë të përshtatshme.” Tepër konfuze është pjesa e Vendimit unifikues të vitit 2011 ku bëhet fjalë për kryerjen e krimeve të rënda, se rreziku i largimit të autorit mund të lidhet edhe me natyrën e akuzave si dhe pasojat. Por më flagrante eshtë pjesa e këtij Vendimi unifikues ku thuhet: “Masa e sigurimit arrest në burg e kërkuar nga prokurori ndaj të gjykuarit mund të çmohet nga gjykata si e papërshtatshme vetëm nëse ai ose mbrojtësi i tij i paraqesin gjykatës prova pozitive që tregojnë se kjo gjendje rreziku nuk është e pranushme apo nuk është e pranushme në atë shkallë dhe rëndësi që të bëjë të zbatushme masën e sigurimit arrest në burg.”
Kjo do të thotë se qëndrimi i Gjykatës vlerësohet të jetë pasiv, se ajo mund ta çmojë masën e arrestit në burg të papërshtatshme vetëm nëse i akuzuari ose mbrojtësi i tij paraqitin prova “pozitive”!
Këto formulime janë haptazi në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, sidomos pas ndryshimeve që janë bërë në vitin 2017 dhe 2021. Ato s’kanë asgjë të përbashkët me praktikën dhe standardet e GJEDNJ. Me të drejtë Gjykata e Lartë në nismën e saj për ndryshime në Vendimin unifikues të vitit 2011, i referohet çështjeve Hysa, Gëllçi, Muçaj të shqyrtuara nga GJEDNJ, në të cilat bëhen analiza konkrete ku evidentohet cenimi i legjislacionit të brendshëm dhe standardet.
Duke u njohur me këtë nismë të Gjykatës së Lartë, do të sugjeroja që Vendimi unifikues i vitit 2011 të shfuqizohej në tërësi. Për mendimin tim ai ka patur ndikim negativ. E them këtë duke patur parasysh formulimet që përmendëm më lart. Nuk disponoj të dhëna (analiza, përgjithësime, monitorime) të pasojave të dëmshme. Por nuk mund ti përjashtoj ato. Në këtë vështrim nuk arrij të konceptoj çfarë orientimi mund të vlente edhe sot nga Vendimi unifikues i vitit 2011!
Problemi i masave të sigurimit personal është aktual dhe i një rëndësie të veçantë. Ai është i ndieshëm dhe ka interes për publikun. Ndihmesë e madhe për ne është praktika shumë vjeçare dhe e konsoliduar e GJEDNJ aq sa ajo është edhe e detyrueshme për zbatim.
Në përfundim, mendoj se ashtu, siç vonesa në trajtimin e kësaj çështjeje, nuk do të ishte e justifikueshme ashtu dhe nxitimi mund të krijonte paqartësi në zbatimin praktik.
