Kremlini njofton se bisedimet trepalëshe për paqen në Ukrainë me Shtetet e Bashkuara ndodhen aktualisht në një “ndërprerje të përkohshme.”
Sipas gazetës ruse Izvestia, lufta në Iran ka ndalur përkohësisht negociatat mes Moskës, Uashingtonit dhe Kievit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kjo ndërprerje është e situatës dhe lidhet me arsyet aktuale, duke shtuar se shpresohet që sa më shpejt të rifillojë një raund tjetër bisedimesh.
“Pasi të gjenden mundësitë dhe të harmonizohen oraret e të tre palëve, kryesisht ato të ndërmjetësve amerikanë, shpresojmë që kjo ndërprerje të përfundojë dhe të mbajmë një raund tjetër bisedimesh trilaterale,” deklaroi Peskov.
Raundet e ardhshme të negociatave mbeten të rëndësishme për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike për konfliktin në Ukrainë, ndërsa tensionet rajonale, përfshirë situatën në Lindjen e Mesme, vazhdojnë të ndikojnë në dinamikat ndërkombëtare./MXH
