Kremlini ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të zhvillojë negociata me “të gjithë”, përfshirë edhe vendet e Bashkimit Evropian, nëse edhe pala evropiane shfaq gatishmëri për dialog.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin ka shprehur në mënyrë të përsëritur gatishmërinë për bisedime, duke theksuar se Rusia nuk do të marrë iniciativën për kontakte të reja me Evropën pas qëndrimeve të mbajtura nga Brukseli.
Deklaratat vijnë pas raportimeve të “Financial Times”, sipas të cilave liderët e BE-së po shqyrtojnë mundësinë e hapjes së kanaleve të reja të komunikimit me Moskën, në një kohë kur negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë janë të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas Kremlinit, ishte Bashkimi Evropian ai që ndërpreu marrëdhëniet me Rusinë në vitin 2022, pas nisjes së luftës në Ukrainë, ndërsa tani përgjegjësia për rifillimin e dialogut mbetet tek vendet evropiane.
Nga ana tjetër, liderët evropianë kanë akuzuar Moskën për agresion dhe kanë deklaruar se Rusia duhet të mposhtet në Ukrainë, duke e cilësuar presidentin Putin si një figurë autoritare dhe kërcënim të mundshëm për sigurinë e NATO-s në të ardhmen.
Moskë dhe Brukseli vijojnë të mbajnë qëndrime të kundërta, ndërsa lufta në Ukrainë mbetet një nga krizat më të thella të sigurisë në Evropë në dekadat e fundit./mxh
