Last Updated on 10/08/2026 by EL
Juristi Kreshnik Spahiu i ka cilësuar të turpshme deklaratat e bëra nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës në Beograd dy ditë më parë.
Në një lidhje live për Report Tv, Spahiu tha se Zelensky gjatë gjithë historisë së tij politike të pasluftës është përpjekur që të ‘flirtojë’ politikisht me shumë palë në arenën ndërkombëtare.
Sipas Spahiut, Zelensky është në panik nga ndarja e Ukrainës dhe kundërshton krijimin e shteteve të reja, përfshi edhe Kosovën.
“Në tërësinë e vetë Zelensky ka tentuar të flirtojë me shumë palë në diplomaci dhe politikë. Nuk është një surprizë, sepse në bindjen e tij personale ai është kundër krijimit të shteteve të reja. Në tërësinë e vetë, ai është në panik nga shkëputja, ndarja e Ukrainës dhe shikon interesin e ngushtë personal jashtë çdo parimi të të drejtës ndërkombëtare. Në tërësinë e vetë, nuk njihet për ndonjë lider shumë serioz në politikë. Aty është për shkak të luftës. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhte nëse do të kishte zgjedhje të lira në Ukrainë”, tha mes të tjerash Spahiu.
Më tej Spahiu deklaroi se me deklaratat e bëra 2 ditë më parë kundër Kosovës, Zelensky u përdor nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në prag të zgjedhjeve që do të mbahen Serbi.
Sipas Spahiut, edhe opozita ukrainase po e kritikon retorikën e përdorur nga Zelensky në Serbi.
“Zelenzky është përdorur politikish dje nga Aleksandër Vuçiç. Është një përdorim i qartë politik dhe elektoral, që është bërë tani në vigjilje të zgjedhjeve elektorale në Serbi. Kjo ka tronditur ndjesitë e gjithë komunitetit shqiptar, gjithë trevave shqiptare. Të gjithë kanë një mllef te jashtëzakonshëm me Zelenskyn dhe reaksioni ka mbërritur deri te opozita ukrainase, që e shikojnë si amatoreske këtë qëndrim të Zelenskyt. Zelensky ende nuk është koshient që Serbia nuk mund ta ndihmojë, pasi partneri i tyre strategjik është Moska”, tha mes të tjerash Spahiu.
Kujtojmë se Zelensky deklaroi gjatë vizitës në Beograd se Ukraina nuk do e njohë as në të ardhmen Kosovën, pasi sipas tij, Kosova është pjesë integrale e Serbisë./et
