Last Updated on 17/04/2026 by EL
Besart Xhaferri, deputet dhe drejtues i Forumit Rinor të PD, e ka nisur i pari fjalën në podiumin e protestës kombëtare që ka nisur në Tiranë, përpara Kryeministrisë, duke ngritur zërin se rinia shqiptare nuk do të ikë nga toka e vet, por do të përballet me regjimin.
“Të nderuar miq, ata e kanë kthyer Shqipërinë në një çiflig personal. Shpopullimi i Shqipërisë nuk është një aksident , por një projekt i mirëmenduar i këtij sekti në pushtet për të zbrazur këtë vend.
Sot ju them se ne nuk do të ikim, ky është vendi ynë, kjo është toka jonë. Shqipëria nuk është e varfër, Shqipëria është e vjedhur. Ne kemi forcën, arsimimin dhe guximin për ta bërë Shqipërinë një vend të begatë për familjet tona”, u shpreh ai.
Besart Xhaferri bëri thirrje për ngritjen e të rinjve dhe mbarë popullit, sepse sipas tij, tmerri i pushtetit të Edi Ramës është lumi i demokratëve që kanë zbarkuar në bulevardin Dëshmorët e Kombit.
“Ne jemi këtu për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ky pushtet i takon sovranit, popullit dhe jo bandave. Ata duken të fortë vetëm kur ne jemi të përçarë, kur heshim, por shikoni këtë shesh sot, ky lumë njerëzish është tmerri i tyre më i madh.
PD dhe opozita shqiptare janë të vetmet shpresa për ta kthyer këtë vend në shinat e Europës. Ngrihuni”, përmbylli Besart Xhaferri, deputet dhe drejtues i Forumit Rinor të PD./ET
