Last Updated on 31/07/2026 by Kesjana
**
Ndërsa bombardimet ukrainase e kanë rikthyer Krimenë në qendër të zhvillimeve ndërkombëtare, historia e këtij gadishulli tregon se ai ka qenë gjithmonë një territor i lakmuar. Gjeografikisht pjesë e Ukrainës, Krimea ka kaluar nën sundimin e shumë popujve dhe perandorive. Në lashtësi, grekët e quanin Tauridë dhe ajo luajti një rol kyç në ekuilibrat gjeopolitikë të Evropës Lindore.
Banorët e parë të njohur ishin Taurët, të cilët u vendosën në Krime në fillim të Epokës së Hekurit. Historiani Herodot i përshkruan si një popull luftarak që jetonte nga plaçkitjet dhe kryente flijime njerëzore. Nga shekujt VIII-VII para Krishtit, grekët nisën kolonizimin e brigjeve të Detit të Zi dhe themeluan koloni edhe në Krime. Pas një periudhe përplasjesh, Taurët dhe grekët krijuan marrëdhënie tregtare që u sollën përfitime të mëdha të dyja palëve.
Grekët kërkonin grurë, bagëti dhe skllevër nga fushat pjellore të Ukrainës. Një rol të rëndësishëm në këtë tregti kishin Skitët, një popull nomad i njohur për kalorësinë e tij të fuqishme. Rreth vitit 480 para Krishtit, kolonitë greke u bashkuan në Mbretërinë e Bosforit Kimerian, e cila u bë një nga qendrat më të rëndësishme tregtare të rajonit dhe bashkoi grekë, taurë e skitë. Në shekullin IV para Krishtit, Skitët u zëvendësuan nga Sarmatët, një popull tjetër luftarak që kërcënoi vazhdimisht mbretërinë. Për t’u mbrojtur, sundimtarët kërkuan ndihmën e Mbretërisë së Pontit të Mitridatit VI, i cili pushtoi Krimenë në vitin 107 para Krishtit. Pas humbjes së tij ndaj Romës, gadishulli mbeti nën ndikimin romak si një mbretëri vasale, pa u shndërruar kurrë në provincë. Për më shumë se tre shekuj, Roma kontrolloi rrugët tregtare të Detit të Zi përmes Krimesë dhe ndërhyri shpesh në politikën e saj. Stabiliteti u prish në shekullin III pas Krishtit, kur në rajon mbërritën Gotët, të ndjekur më pas nga Hunët. Këto pushtime shënuan rënien e Mbretërisë së Bosforit Kimerian dhe dobësimin e ndikimit greko-romak. Në vitin 527, perandori Justinian e riktheu përkohësisht Krimenë nën Perandorinë Romake të Lindjes, por pak më shumë se një shekull më vonë gadishulli u pushtua nga proto-bullgarët me origjinë turke. Kështu mori fund lidhja e drejtpërdrejtë e Krimesë me botën greko-romake, pas më shumë se një mijë vitesh histori të përbashkët./kb
