Një krim brutal është zbuluar në Itali, në rajonin Anguilar, rreth 30 kilometra larg Romës, ku një grua 40-vjeçare u gjet e groposur.
Sipas prokurorëve, Federica Torzullo u vra brenda shtëpisë së saj nga bashkëshorti, Claudio Carlomanio. Gruaja kishte qenë e zhdukur prej dhjetë ditësh dhe autori i krimit kishte mohuar çdo përgjegjësi deri sot në mesditë.
Pas një sërë hetimesh, karabinierët arritën të gjenin trupin e gruas në një fushë që ndodhej pranë një kompanie bujqësore në pronësi të autorit të krimit. Mediat italiane raportuan se karabinierët, gjatë hetimeve, panë dorën e një gruaje sipër dheut dhe dyshuan se mund të ishte trupi i Torzullo-s.
Çifti jetonte në të njëjtën banesë, por sipas miqve, ata ishin të ndarë. Fqinjët e kishin parë bashkëshortin e 40-vjeçares duke larë një kamion që e përdorte për punë, ndërsa njolla gjaku ishin gjetur në shtëpinë dhe vendin e tij të punës.
Claudio Carlomanio u dërgua në burg në qytetin e Civitavecchia-s, 80 kilometra në veri të Romës. Sipas avokatit mbrojtës të autorit, ai donte të vetëdorëzohej por autoritetet kishin arritur ta arrestonin më para./K.M
