Kancelari gjerman Friedrich Merz i është kundërpërgjigjur kritikave të Presidentit amerikan Donald Trump për nivelin e shpenzimeve të Gjermanisë në mbrojtje, duke deklaruar se Berlini nuk ka asnjë arsye të turpërohet për angazhimin e tij.
Në një konferencë për mediat në Berlin, Merz tha se Gjermania ka dyfishuar buxhetin e mbrojtjes brenda katër viteve, duke e cilësuar këtë si investimin më të madh të bërë ndonjëherë për forcimin e aftësive mbrojtëse të vendit. Sipas tij, Gjermania ka përmbushur angazhimet e marra në kuadër të NATO-s dhe do ta mbrojë këtë rekord me “modestinë e duhur”.
Deklaratat e kancelarit vijnë pasi Donald Trump kritikoi ashpër aleatët evropianë në rrjetin Truth Social, duke i cilësuar “qesharake” shpenzimet e Gjermanisë për mbrojtjen gjatë viteve 2014–2025. Presidenti amerikan pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur barrën kryesore financiare të aleancës, ndërsa vendet evropiane kanë kontribuar shumë më pak.
Polemikat zhvillohen në prag të samitit të NATO-s, ku një nga temat kryesore do të jetë rritja e investimeve në mbrojtje. Aleatët kanë rënë dakord që deri në vitin 2035 të shpenzojnë 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për kapacitetet ushtarake, si pjesë e objektivit të ri prej 5 për qind për mbrojtjen dhe sigurinë.
Merz theksoi gjithashtu se kërcënimi ndaj sigurisë së Evropës nuk është teorik, por real, veçanërisht për vendet në krahun lindor të NATO-s. Deklarata e tij u bë gjatë takimit në Berlin me drejtuesit e shteteve baltike, në një kohë kur lufta në Ukrainë dhe tensionet e fundit në Lindjen e Mesme vazhdojnë të dominojnë axhendën e sigurisë së aleancës./mxh
