Sipas Dr. Hannah Widmer nga ETH Zurich, një nga faktorët kryesorë është rritja e kostove të banimit, qoftë përmes qirave apo çmimeve të pronave, në raport me rritjen më të ngadaltë të të ardhurave, veçanërisht për grupet me të ardhura më të ulëta.
Greqia, vendi më i prekur nga kostot e strehimit
Greqia ka përqindjen më të lartë të popullsisë që shpenzon mbi 40% të të ardhurave të disponueshme për strehimin, mes vendeve evropiane për të cilat ka të dhëna. Në vitin 2025, kjo kategori përfshinte 26.4% të popullsisë, më shumë se trefishi i mesatares së BE-së.
Pas Greqisë renditet Danimarka, me 14.7%, ndërsa Gjermania dhe Suedia regjistrojnë përkatësisht 11.2% dhe 10.8%. Mbi mesataren evropiane janë gjithashtu Estonia (8.8%), Çekia (8.2%) dhe Luksemburgu (8.1%).
Jashtë Bashkimit Evropian, barra është e lartë në Zvicër, me 15.3%, dhe Norvegji, me 13.5%. Ndër vendet kandidate për anëtarësim në BE, Turqia regjistron 10%, Mali i Zi 8.7% dhe Serbia 7.9%.
Në anën tjetër të renditjes, Qipro ka përqindjen më të ulët, me vetëm 2.4% të popullsisë që shpenzon mbi 40% të të ardhurave për strehimin. Pas saj vijnë Kroacia (3.2%), Sllovenia (3.5%) dhe Sllovakia (3.5%).
Mes ekonomive më të mëdha të BE-së, Spanja (7.2%), Franca (6.4%) dhe Italia (5%) qëndrojnë nën mesataren evropiane, ndërsa Gjermania renditet ndër vendet me barrën më të lartë.
Mbi 34 milionë evropianë preken nga kostot e larta të strehimit
Në terma absolutë, më shumë se 34 milionë persona në Bashkimin Evropian jetojnë në familje që shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave të disponueshme për strehimin.
Gjermania ka numrin më të madh të personave të prekur, me 9.4 milionë. Ajo ndiqet nga Turqia, me 8.6 milionë, Franca me 4.4 milionë, Spanja me 3.5 milionë dhe Italia me 2.9 milionë. Pavarësisht popullsisë më të vogël, Greqia renditet e gjashta, me 2.7 milionë persona të prekur.
Barra është edhe më e rëndë për njerëzit me të ardhura të ulëta. Në BE, 29.1% e personave në rrezik varfërie jetojnë në familje ku kostot e strehimit kalojnë 40% të të ardhurave të disponueshme.
Ky grup përfshin individët me të ardhura të disponueshme ekuivalente nën pragun e rrezikut të varfërisë, i cili përcaktohet në 60% të të ardhurave mediane kombëtare ekuivalente. Në vitin 2025, të ardhurat mediane ekuivalente në BE ishin 22,939 euro në vit, ose 1,912 euro në muaj. Pragu prej 60% përkthehej në 1,147 euro në muaj.
Greqia kryeson sërish, me 82.6% të personave në rrezik varfërie që shpenzojnë mbi 40% të të ardhurave për strehimin. Kjo do të thotë se më shumë se katër në pesë persona të kësaj kategorie përballen me një barrë të tillë. Pas saj renditen Danimarka (59.8%) dhe Zvicra (56.1%).
Në Suedi, kjo përqindje është 46.8%, në Norvegji 43.8% dhe në Çeki 43.4%. Gjermania regjistron 35%, mbi mesataren e BE-së, ndërsa Spanja (28.3%), Franca (25.4%) dhe Italia (21.7%) janë nën të.
Marietta Haffner nga Universiteti i Teknologjisë në Delft thekson se kur çmimet e banesave, qiratë, energjia, normat e interesit dhe inflacioni rriten më shpejt se të ardhurat, pjesa e buxhetit familjar që shkon për strehimin zmadhohet. Ajo paralajmëron se rritja e kostove të energjisë mund të jetë një nga faktorët kryesorë që do të shtyjë më tej shpenzimet e strehimit gjatë vitit të ardhshëm.
Shqipëria, ndër vendet me barrën më të ulët për familjet në rrezik varfërie
Shqipëria shfaqet në një pozicion relativisht të favorshëm në këtë tregues. Sipas Eurostat, vetëm 8.2% e personave në rrezik varfërie në vend jetojnë në familje ku shpenzimet për strehimin kalojnë 40% të të ardhurave të disponueshme. Kjo është përqindja e dytë më e ulët në grupin e vendeve të krahasuara, pas Qipros me 7.6%, dhe dukshëm nën mesataren e Bashkimit Evropian prej 29.1%. Shqipëria renditet gjithashtu më mirë se Kroacia (14.9%) dhe Sllovakia (15.4%).
Megjithatë, ky rezultat duhet interpretuar me kujdes. Treguesi mat peshën e shpenzimeve të strehimit në buxhetin e familjeve në raport me të ardhurat e tyre, dhe jo nivelin absolut të çmimeve të banesave apo përballueshmërinë e tregut imobiliar. Për rrjedhojë, një përqindje e ulët nuk do të thotë domosdoshmërisht se strehimi është i përballueshëm për familjet shqiptare. Për të kuptuar më mirë situatën në vend, duhen analizuar edhe raporti mes çmimeve të banesave dhe të ardhurave, niveli i qirave, kushtet e kreditimit dhe pesha e pronësisë së banesave në strukturën e familjeve./ad