Një sallë ceremoniale me një fron prej qerpiçi, e zbuluar në Pañamarca të Perusë, përmban piktura murale që paraqesin një grua të kurorëzuar, duke pritur vizitorë dhe duke ushtruar autoritet. Arkeologët dyshojnë se ajo mund të ketë qenë një sundimtare e qytetërimit të lashtë Moche.
Paola Panigas
Gjatë gërmimeve arkeologjike në Pañamarca, në luginën e Nepeñës, rreth 350 kilometra në veri të Limës, një grup studiuesish zbuloi një strukturë të pazakontë ceremoniale. Në brendësi të saj ndodhet një fron prej qerpiçi, i rrethuar nga mure dhe kolona të mbuluara me piktura shumëngjyrëshe. Në to shfaqet vazhdimisht figura e një gruaje të kurorëzuar, e ulur në fron, duke pritur një procesion vizitorësh dhe duke mbajtur simbolet e pushtetit.
Zbulimi u bë gjatë fushatës së vitit 2024 dhe ka nxitur një debat të ri mbi rolin e grave në shoqërinë Moche, një qytetërim që lulëzoi në bregdetin verior të Perusë rreth 1300-1700 vjet më parë.
Kush ishin Moche?
Moche ishte një nga qytetërimet më të zhvilluara të Amerikës së lashtë, që lulëzoi afërsisht nga viti 350 deri në vitin 850 pas Krishtit, në luginat pjellore të bregdetit verior të Perusë. Territori i tij përfshinte zona që sot i përkasin rajoneve Piura, Lambayeque, La Libertad dhe Áncash.
Megjithëse jetonin në një mjedis kryesisht shkretinor, banorët e këtij qytetërimi shfrytëzuan ujërat e lumenjve që zbrisnin nga Andet për të zhvilluar bujqësinë dhe për të ndërtuar vendbanime të mëdha. Ata ngritën komplekse monumentale me piramida të shkallëzuara, tempuj dhe platforma ceremoniale, të ndërtuara me tulla balte, të njohura si qerpiç.
Moche nuk kishin një sistem shkrimi të njohur, ndaj shumë prej njohurive për jetën e tyre vijnë nga varret, objektet e gjetura në to dhe sidomos nga pikturat murale e qeramika e pasur me figura njerëzore, kafshë dhe skena ceremoniale.
Në këto komplekse janë zbuluar edhe varre të pasura, ku krahas sundimtarëve dhe personazheve të elitës gjendeshin objekte ari, argjendi, armë ceremoniale dhe dëshmi të flijimeve njerëzore.
Zbulimi i fronit
Në vitin 2024, një ekip arkeologësh dhe studiuesish të drejtuar nga Lisa Trever, profesore e historisë së artit dhe arkeologjisë parakolumbiane në Universitetin e Kolumbias në Nju-Jork, zbuloi në Pañamarca një sallë ceremoniale të pazakontë, të cilën studiuesit e quajtën “Salla e Imagjinares Moche”.
Në qendër të saj ndodhet një fron prej balte, i vendosur midis dy kolonave. Muret dhe sipërfaqet e brendshme të sallës janë të mbuluara me piktura që paraqesin një grua të fuqishme, të veshur me veshje ceremoniale, të kurorëzuar dhe të pajisur me simbole autoriteti.
Në disa skena ajo shfaqet e ulur në fron, në të tjera mban një skeptër, ndërsa në një tjetër pritet nga një procesion burrash që mbajnë objekte ceremoniale dhe kurorën e saj, së bashku me gërshetat karakteristike të flokëve.
Vetë froni përmban gjurmë të përdorimit. Në pjesën e mbështetëses janë konstatuar shenja konsumimi, ndërsa në sedilje janë gjetur rruaza prej guri të gjelbër, fije tekstili dhe fije floku njerëzor. Këto dëshmi sugjerojnë se nuk bëhej fjalë vetëm për një element dekorativ, por për një fron ku ishte ulur realisht një person.
Studiuesit mendojnë se salla është ndërtuar rreth vitit 650 pas Krishtit. Megjithatë, mbetet e hapur çështja nëse gruaja e paraqitur në piktura ishte një sundimtare e vërtetë, një priftëreshë me autoritet të lartë apo një figurë hyjnore.
Lisa Trever thekson se rëndësia e zbulimit qëndron pikërisht në faktin se një grua paraqitet në një pozicion të tillë pushteti, në një hapësirë të krijuar posaçërisht për ushtrimin e autoritetit.
Zonja e Kaos dhe gratë e pushtetshme të Moche-ve
Zbulimi i Pañamarca-s nuk është rasti i parë që dëshmon pozitën e lartë të grave në këtë qytetërim.
Në vitin 2005, në kompleksin arkeologjik El Brujo, në veri të qytetit të Trujillos, u zbulua një varr që do të bëhej i njohur si varri i “Zonjës së Kaos”. Mbetjet e saj të mumifikuara, të ruajtura në gjendje të jashtëzakonshme, i përkisnin një gruaje që kishte jetuar rreth 1700 vjet më parë.
Fillimisht, arkeologët menduan se kishin zbuluar varrin e një luftëtari, pasi trupi ishte i mbuluar me tatuazhe dhe pranë tij ndodheshin dy shkopinj ceremonialë luftarakë. Por analizat zbuluan se bëhej fjalë për një grua të re, rreth 1,45 metra të gjatë, me tatuazhe gjarpërinjsh dhe merimangash në krahë e këmbë.
Varri përmbante një koleksion të pasur objektesh ari dhe bakri, si dhe tri kurora ceremoniale. Prania e këtyre simboleve, së bashku me pasurinë e jashtëzakonshme të varrit, tregonte se gruaja kishte gëzuar një pozitë shumë të lartë shoqërore dhe politike.
Një tjetër grup zbulimesh i rëndësishëm vjen nga San José de Moro, ku janë gjetur varre grash të pajisura me objekte të pasura ceremoniale. Ato janë identifikuar nga arkeologët si priftëreshat e San José de Moro dhe dëshmojnë rolin e rëndësishëm që gratë kishin në ceremonitë fetare të kësaj shoqërie.
Këto zbulime kanë ndryshuar gradualisht interpretimin tradicional të qytetërimit Moche, ku pushteti mendohej se ishte kryesisht në duart e burrave.
Mbretëresha apo priftëreshë?
Pyetja mbetet: a mund të ketë pasur Moche një mbretëreshë në krye të një qendre politike dhe fetare?
Për arkeologët, përgjigjja nuk është ende përfundimtare. Por dëshmitë e grumbulluara gjatë dekadave të fundit tregojnë se gratë nuk ishin thjesht pjesëmarrëse në ritualet fetare. Disa prej tyre kishin simbole pushteti, zotëronin pasuri të konsiderueshme dhe zinin pozita të rëndësishme në hierarkinë e shoqërisë.
Studiuesja Gabriela Cervantes Quequezana, nga Universiteti Kombëtar i San Markosit në Lima, vëren se pavarësisht nëse këto gra ishin mbretëresha apo priftëresha, pozita e tyre në shoqëri dëshmonte një formë të mirëfilltë autoriteti.
Salla e Gjarpërinjve
Përveç sallës së fronit, arkeologët zbuluan edhe një hapësirë tjetër ceremoniale, të quajtur “Salla e Gjarpërinjve të Gërshetuar”.
Muret e saj janë zbukuruar me figura gjarpërinjsh me tipare njerëzore, luftëtarësh dhe krijesash mitologjike. Në disa prej pikturave shfaqen qenie me trupa të ndërthurur, ndërsa në të tjera një përbindësh i qytetërimit Moche ndjek një personazh njerëzor.
Sipas Michele Koons, drejtuese e sektorit të antropologjisë në Muzeun e Natyrës dhe Shkencës në Denver, këto piktura ofrojnë një vështrim të ri mbi botën simbolike dhe ceremoniale të Moche-ve.
Dy sallat duket se kishin funksione të ndryshme. Dhoma e fronit ishte një hapësirë më private, ndërsa Salla e Gjarpërinjve kishte një karakter më monumental dhe ishte e orientuar drejt një sheshi të madh, ku mund të zhvilloheshin tubime dhe ceremoni publike.
Arkeologu Gabriel Prieto, profesor i antropologjisë në Universitetin e Floridës, mendon se këto piktura mund të ndihmojnë për të kuptuar më mirë mënyrën se si zhvilloheshin ceremonitë Moche dhe rolin që gratë kishin në to. Sipas tij, skenat e zbuluara paraqesin veprimtari ceremoniale shumë më të larmishme sesa ato që njiheshin më parë, të cilat shpesh lidheshin vetëm me flijimet njerëzore.
Zbulimi në Pañamarca nuk e ka zgjidhur ende misterin e identitetit të gruas së ulur në fron. Por ka sjellë një dëshmi të re se në shoqëritë e lashta të Amerikës së Jugut pushteti nuk ishte domosdoshmërisht një privilegj vetëm i burrave.
Ndoshta, 1300 vjet më parë, në brigjet e Paqësorit, një grua kishte autoritetin të priste delegacione, të drejtonte ceremoni dhe të ushtronte pushtet mbi një qendër të rëndësishme të qytetërimit Moche.
