Marrëdhënia mes David Beckham dhe Victoria Beckham me djalin e tyre të madh, Brooklyn Beckham, vijon të mbetet e tensionuar, pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për ta rregulluar situatën.
Sipas një artikulli të publikuar nga The Cut, çifti është i gatshëm të bëjë çdo kompromis për të rindërtuar marrëdhënien me Brooklyn dhe bashkëshorten e tij, Nicola Peltz. Burime pranë familjes bëjnë me dije se ata kanë shprehur gatishmëri për takime në çdo vend dhe në çdo rrethanë të propozuar nga çifti, madje edhe në prani të avokatëve, terapistëve apo ndërmjetësve.
Megjithatë, qëndrimi i Brooklyn duket i palëkundur. Në janar, ai deklaroi publikisht në rrjetet sociale se nuk ka interes për pajtim, duke shkruar hapur: “Nuk dua të pajtohem me familjen time”.
Sipas tij, përplasjet me prindërit kanë nisur që përpara martesës së tij me Nicola në vitin 2022. Brooklyn i akuzon ata për mungesë mbështetjeje ndaj partneres së tij, si dhe për krijimin e një imazhi familjar të kuruar për publikun, që ai e konsideron jo autentik.
Një nga deklaratat më të forta lidhet me Victoria Beckham, për të cilën ai pretendon se i ka prishur një moment të rëndësishëm gjatë dasmës, duke marrë vëmendjen gjatë kërcimit të parë me bashkëshorten.
Nga ana tjetër, prindërit nuk kanë reaguar drejtpërdrejt ndaj akuzave, por kanë vijuar të shprehin dashurinë për djalin e tyre publikisht. Së fundmi, David Beckham i dedikoi një mesazh për ditëlindje me fjalët: “Të duam”.
Ndërkohë, tensionet duket se kanë prekur edhe pjesën tjetër të familjes. Vëllai i tij, Cruz Beckham, u emocionua gjatë një performance në Londër, ku interpretoi këngën “Loneliest Boy”, që besohet se i dedikohet raportit të tyre të vështirë.
“Shpresoj që po dëgjon… mos i largo të gjithë kur ne po përpiqemi të të tregojmë dashuri”, këndoi ai mes emocionesh, duke lënë të kuptohet se ndarja familjare vazhdon të jetë e thellë./mxh
