Situata në Ngushticën e Hormuzit vijon të mbetet kritike, ndërsa fuqitë ndërkombëtare po kërkojnë zgjidhje për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Francës, Pascal Confavreux, deklaroi se bllokada në këtë zonë përbën një krizë rajonale me pasoja globale. Sipas tij, rivendosja e lëvizjes së lirë në këtë korridor strategjik është thelbësore për ekonominë botërore.
Ai theksoi se ekonomia europiane, ajo franceze, por edhe ekonomia amerikane, po ndjejnë pasojat e ndërprerjes së trafikut në këtë rrugë kyçe të transportit të naftës dhe gazit.
Megjithatë, Franca përjashton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake për hapjen e ngushticës. Confavreux e cilësoi një operacion të tillë si jorealist, duke marrë parasysh shtrirjen e gjatë bregdetare që do të duhej të kontrollohej.
Ndërkohë, vendet e G7-ës dhe ato të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit pritet të zhvillojnë një takim javën e ardhshme për të diskutuar situatën dhe hapat e mëtejshëm.
Kjo vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë përshkallëzuar ndjeshëm, pas sulmeve të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit, që kanë shkaktuar kundërpërgjigje nga Teherani.
Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimit global me naftë dhe gaz të lëngshëm, aktualisht mbetet e bllokuar, duke rritur shqetësimet për ndikimin në tregjet ndërkombëtare të energjisë./mxh
