Last Updated on 15/04/2026 by Anisa
Industria ajrore e Europës rrezikon një mungesë “sistemike” të karburantit të avionëve në javët e ardhshme nëse bllokada në Ngushticën e Hormuzit vazhdon, me mundësinë ndërprerjeve të qindra fluturimeve, sipas ekspertëve.
Claudio Galimberti, kryeekonomist në Rystad Energy, i tha CNBC-së të martën se situata me të cilën përballen linjat ajrore “varet pothuajse plotësisht nga sa fuçi nafte do të qarkullojnë përmes Ngushticës”.
“Situata brenda tre-katër javëve të ardhshme mund të bëhet sistemike, pra mund të kemi shkurtime serioze të fluturimeve në Europë që në maj dhe qershor,” shtoi ai.
Trafiku përmes këtij korridori detar me rëndësi strategjike u ndal pothuajse plotësisht pasi Irani e mbylli atë gjatë luftës me SHBA-në dhe Izraelin, duke bërë që çmimet e naftës të rriten ndjeshëm.
Pas dështimit të negociatave të paqes mes SHBA-së dhe Iranit gjatë fundjavës, SHBA nisi një bllokadë detare ndaj anijeve që hyjnë dhe dalin nga portet iraniane në Ngushticën e Hormuzit, me qëllim kufizimin e eksporteve të naftës së Iranit dhe rritjen e presionit ndaj Teheranit.
Rico Luman, ekonomist i lartë në ING, tha: “Ka shumë paralajmërime për mungesa të afërta në javët që vijnë, nëse nuk rikthehet furnizimi.”
“Kemi parë që këto anije po ndalen tani, kështu që furnizimet nga Lindja e Mesme kanë mbaruar dhe na duhen zëvendësime”, tha Luman.
ACI Europe, që përfaqëson aeroportet në BE, tha javën e kaluar se mungesa mund të ndodhë brenda tre javësh, duke prishur sezonin e pikut të udhëtimeve dhe duke sjellë “pasoja të rënda ekonomike”.
Disa shtete anëtare të BE-së varen nga përfitimet ekonomike të sezonit veror të turizmit, me transportin ajror që gjeneron 851 miliardë euro (gati 1 trilion dollarë) në PBB-në e ekonomive europiane në vit dhe mbështet 14 milionë vende pune, sipas grupit.
“Ne kemi parë tashmë kufizime në Azi, sepse Azia është e lidhur me Lindjen e Mesme dhe është më e varura prej saj, veçanërisht për karburantin e avionëve. Kemi parë kufizime në vende si Vietnami dhe Tajlanda në udhëtimet ajrore, por kjo po përhapet edhe në Europë, sepse është një treg global,” tha Luman.
Lufta SHBA–Izrael me Iranin, e cila filloi më 28 shkurt, çoi në rritjetë çmimeve të naftës mbi 100 dollarë për fuçi, duke shkaktuar një goditje energjetike, ku linjat ajrore janë ndër më të prekurat. Çmimet e karburantit të avionëve u rritën me 103% në bazë mujore deri në mars, sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA).
Në SHBA, çmimi i karburantit të avionëve pothuajse u dyfishua, duke u rritur nga 2.50 dollarë për gallon më 27 shkurt në 4.88 dollarë më 2 prill.
Kontratat për naftën West Texas Intermediate për dorëzim në maj ranë me 1.86% në 97.24 dollarë për fuçi, ndërsa Brent për dorëzim në qershor ra me 0.33% në 99.03 dollarë për fuçi..
Galimberti i Rystad Energy tha se tregjet po prisnin një “zgjidhje të shpejtë” të krizës, por me zhvillimin e bllokadës detare të SHBA-së gjatë fundjavës, “duket se ky do të jetë një proces i gjatë”.
Ai iu referua luftës Rusi–Ukrainë, duke thënë: “Nëse shikon historinë e konflikteve, sa më gjatë që zgjasin përtej 8–9 javëve të para, aq më e mundshme është që ato të bëhen konflikte të zgjatura.”
Reagimi i linjave ajrore
Linjat ajrore europiane tashmë po anulojnë fluturime dhe po ulin parashikimet e fitimit ndërsa konflikti vazhdon.
“Kemi parë tashmë disa njoftime për rritje çmimesh biletash,” tha Luman nga ING. “Pra, kjo do të vazhdojë nëse situata mbetet e njëjtë, dhe ne nuk presim që çmimet e naftës të kthehen në nivelet e mëparshme… kjo ka rëndësi për klientët në udhëtime.”
Aurigny, një kompani ajrore në ishullin Guernsey, njoftoi në fund të marsit se do të reduktojë kapacitetin e fluturimeve në disa linja midis prillit dhe qershorit për shkak të “paqëndrueshmërisë së lartë globale”, duke shtuar gjithashtu një tarifë të përkohshme prej 2 paundësh për biletat.
Linja ajrore skandinave SAS tha se ka anuluar 1,000 fluturime në prill, ndërsa CEO i Ryanair, Michael O’Leary, deklaroi se kompania mund të anulojë disa fluturime dhe të ulë kapacitetin gjatë verës nëse mungesa e karburantit vazhdon.
CEO i Wizz Air tha në mars se pritet një goditje prej 50 milionë eurosh në fitimin neto të vitit 2026, ndërsa CEO i Virgin Atlantic, Corneel Koster, i tha Financial Times të martën se kompania do ta ketë të vështirë të dalë me fitim këtë vit, edhe pas vendosjes së tarifave shtesë të karburantit.
“Pavarësisht se çfarë ndodh në Gjirin Persik në të ardhmen… një pjesë e këtij çrregullimi në çmimet globale të energjisë do të mbetet,” tha Koster./fjala.al-A:D
