Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin me sulme të drejtpërdrejta ndaj objekteve energjetike nëse nuk rihapet menjëherë Ngushtica e Hormuzit.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump deklaroi se nëse kalimi strategjik nuk rikthehet për tregtinë ndërkombëtare, Shtetet e Bashkuara mund të godasin centralet elektrike, puset e naftës dhe objekte të tjera kyçe në Iran.
Kërcënimi vjen në një moment përshkallëzimi të tensioneve në rajon, pasi Irani ka vijuar kundërpërgjigjet ndaj sulmeve amerikane dhe izraelite, duke shënjestruar si Izraelin ashtu edhe bazat ushtarake amerikane.
Situata është rënduar edhe më tej pas bllokimit të Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës, duke ndikuar drejtpërdrejt në tregjet energjetike ndërkombëtare.
Ndërkohë, administrata amerikane ka dërguar mijëra trupa shtesë në Lindjen e Mesme, një lëvizje që ka shtuar spekulimet për një ndërhyrje të mundshme tokësore, megjithëse detajet mbeten ende të paqarta.
Zhvillimet e fundit kanë rritur shqetësimet për një përshkallëzim më të gjerë të konfliktit, me pasoja potenciale për stabilitetin global dhe ekonominë ndërkombëtare./mxh
