Shqipëria po përgatit një skemë të re riciklimi, përmes së cilës qytetarët do të mund të rimarrin paratë e paguara si depozitë kur blejnë pije në shishe plastike.
Sipas projektit, konsumatori do të paguajë një shumë shtesë gjatë blerjes dhe do ta marrë atë mbrapsht pasi të dorëzojë shishen në një pikë të posaçme grumbullimi. Sistemi parashikon edhe përdorimin e makinerive automatike për mbledhjen e ambalazheve.
Projektvendimi është ende në konsultim publik. Shuma e depozitës dhe vendndodhja e pikave të grumbullimit nuk janë përcaktuar ende. Skema parashikon një periudhë tranzitore deri më 31 dhjetor 2028, për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme.
Qëllimi është të nxiten qytetarët të riciklojnë dhe të reduktohet sasia e mbetjeve plastike që përfundojnë në mjedis.
