Presidenti i Kubës, Miguel Díaz-Canel, konfirmoi se Havana ka nisur bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet mes dy vendeve, në një kohë kur ishulli po përballet me një krizë të rëndë energjie pas bllokadës së naftës.
Deklarata u bë gjatë një takimi me drejtuesit kryesorë kubanë, i transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror. Díaz-Canel tha se zyrtarët kubanë kanë zhvilluar së fundmi diskutime me përfaqësues të qeverisë amerikane, duke konfirmuar negociatat që ishin përmendur më herët nga presidenti amerikan Donald Trump në mesin e janarit.
“Së fundmi, zyrtarë kubanë kanë zhvilluar bisedime me përfaqësues të qeverisë së Shteteve të Bashkuara”, tha ai. “Këto diskutime kanë synuar gjetjen e zgjidhjeve, përmes dialogut, për dallimet dypalëshe që ekzistojnë mes dy vendeve tona”.
Sipas mediave amerikane, Raul Guillermo Rodríguez Castro, nipi i ish-presidentit kuban Raúl Castro, ka zhvilluar prej disa javësh bisedime të fshehta me sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili është me origjinë kubano-amerikane. Rodríguez Castro ishte gjithashtu i pranishëm në rreshtin e parë gjatë takimit të drejtuar nga Díaz-Canel.
Administrata e Trump e ka vendosur Kubën në qendër të vëmendjes së saj që pas rrëzimit në janar të aleatit kryesor të Havanës në rajon, ish-presidentit venezuelian Nicolás Maduro. Kuba kishte mbështetur për vite me radhë ekonominë e saj te furnizimet e lira me naftë nga Venezuela.
Në janar, Trump vendosi një bllokadë ndaj naftës që shkon drejt Kubës, duke argumentuar se ishulli përbën një “kërcënim të jashtëzakonshëm” për Shtetet e Bashkuara. Masa ka goditur rëndë ekonominë kubane, duke e çuar atë në prag kolapsi.
Mungesa e karburantit ka paralizuar termocentralet dhe sektorin bujqësor, ndërsa jeta e përditshme në ishull është vështirësuar ndjeshëm. Disa kompani ajrore kanë kufizuar ose pezulluar fluturimet drejt Kubës për shkak të mungesës së vajgurit për avionët.
Fundjavën e kaluar, Trump deklaroi se Kuba “do të bjerë shumë shpejt”, duke shtuar në një intervistë për CNN se autoritetet kubane “duan me çdo kusht të arrijnë një marrëveshje”.
Nga ana e tij, Díaz-Canel tha se bisedimet po lehtësohen nga “faktorë ndërkombëtarë”, pa dhënë më shumë detaje.
Në një gjest vullneti të mirë, Kuba njoftoi gjithashtu se do të lirojë 51 të burgosur pas bisedimeve me Vatikanin, i cili në të kaluarën ka ndërmjetësuar dialogun mes Uashingtonit dhe Havanës./mxh
