“Nuk është më koha për ta ledhatuar Donald Trump-in apo për t’iu nënshtruar kërkesave të tij”. Kështu shprehet Charles Kupchan, ish-këshilltar i Barack Obama-s për politikën e jashtme dhe sot një nga politologët më të njohur të Universitetit Georgetown dhe Council on Foreign Relations në Uashington.
Sipas Kupchan, vendimi i Trump-it për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane që janë rreshtuar në mbrojtje të Groenlandës tregon se kërcënimet e tij nuk janë thjesht retorikë.
“Ai është realisht i gatshëm të përdorë mjete shtrënguese edhe kundër aleatëve të vet”,paralajmëron ai, duke theksuar se përgjigja e Evropës duhet të jetë e fortë dhe e menjëhershme, përpara se tarifat të hyjnë në fuqi më 1 shkurt.
Sipas politologut amerikan, nëse Evropa qëndron e bashkuar dhe e vendosur, reagimi i Trump-it është i vështirë të parashikohet.
“Jemi në territor të panjohur. Por është momenti që evropianët, si dhe demokratë e republikanë në Kongresin amerikan, t’i bëjnë të qartë Trump-it se aneksimi i Groenlandës kundër vullnetit të banorëve dhe aleatëve do të ishte një akt jashtëzakonisht shkatërrues”,shprehet Kupchan.
Ai beson se Trump nuk udhëhiqet nga një strategji e qartë, por nga instinkti dhe impulsi.
“Me një telefonatë dhe një marrëveshje sigurie me Danimarkën, ai mund të siguronte baza ushtarake, radarë apo sisteme mbrojtëse. Groenlanda është e hapur për biznes dhe për shfrytëzim të burimeve. Por Trump mendon në terma pronësie, si një sipërmarrës imobiliar: për të, toka dhe zotërimi i saj kanë rëndësi psikologjike”, shpjegon ai.
Kupchan vëren edhe kontradiktat brenda vetë elektoratit të Trump-it. Nga njëra anë, ka një prirje izolacioniste që kërkon largimin nga Evropa dhe ndalimin e ndihmës për Ukrainën; nga ana tjetër, një impuls neo-imperialist që e shtyn drejt zgjerimit territorial.
“Janë dy impulse të shekullit XIX, që sot përplasen mes tyre”, thotë ai.
Sipas tij, agresiviteti i Trump-it lidhet edhe me dobësinë e tij politike në rritje: Rënie në sondazhe, rezultate më të mira të demokratëve dhe pakënaqësi në rritje te baza republikane për shkak të rritjes së çmimeve dhe goditjes së shtresave që e kanë votuar.
“Një nga arsyet e këtij agresiviteti është nevoja për të mbajtur të bashkuar elektoratin e tij”,paralajmëron Kupchan.
Ndërkohë, Rusia dhe Kina, sipas tij, janë përfitueset kryesore të kësaj situate.
“Putin dhe Xi nuk kanë pse të bëjnë asgjë. Ata shohin nga larg se si Trump po përçan Amerikën dhe Perëndimin, duke krijuar një kaos që u shkon për shtat kundërshtarëve”, thekson ai.
Megjithatë, Kupchan shprehet disi më optimist se disa muaj më parë.
“Po shoh rezistencë në rritje: në Kongres, në Bashkimin Evropian dhe edhe në rrugët e SHBA-së. Edhe disa republikanë po gjejnë guximin të kundërshtojnë. Nuk mjafton ende, por është një fillim”, thotë ai.
Në fund, politologu amerikan fton Evropën të mendojë edhe për epokën pas Trump-it.
“Një ditë ai do të largohet nga Shtëpia e Bardhë. Atëherë do të na duhet të rindërtojmë demokracinë amerikane dhe rendin ndërkombëtar. Menaxhimi i çështjes së Groenlandës është kyç për të shpëtuar NATO-n dhe për të gjetur zgjidhje edhe për Ukrainën. Momenti është shumë i rëndë. Shpresa jonë janë evropianët”, përfundon Kupchan./kb
