Last Updated on 03/11/2026 by Monika
Rezultatet e para të zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të publikohen të martën në mbrëmje, pas mbylljes së qendrave të votimit. Megjithatë, përfundimi i garës në disa zona të kontestuara mund të kërkojë disa orë, madje edhe disa ditë.
Qendrat e para të votimit do të mbyllen në shtetet e Indianës dhe Kentakit në orën 18:00 sipas kohës lokale. Një orë më vonë, procesi i votimit do të përfundojë edhe në Xhorxhia, Karolinën e Jugut, Vermont dhe Virxhinia.
Numërimi i votave të hedhura ditën e zgjedhjeve zakonisht përpunohet përpara votave me postë. Për këtë arsye, rezultatet fillestare mund të ndryshojnë ndjeshëm gjatë procesit të numërimit, ndërsa përfshihen edhe fletëvotimet e dërguara me postë.
Të dhënat e para do të publikohen gjatë mbrëmjes së së martës dhe mëngjesit të së mërkurës, ndërsa shtetet do të përditësojnë rezultatet e numërimit.
Ndërkohë, mediat amerikane mund të nisin publikimin e projeksioneve dhe parashikimeve për fituesit, duke u bazuar në sondazhet në dalje të votuesve dhe rezultatet paraprake të bëra publike nga autoritetet zgjedhore.
Disa media ndërkombëtare, përfshirë DW-në, mbështeten te agjencia e lajmeve Associated Press (AP) për shpalljen e fituesve në garat zgjedhore.
Përvoja e zgjedhjeve të mëparshme tregon se procesi mund të zgjasë disa ditë. Në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022, rezultatet përfundimtare të Senatit u përcaktuan vetëm katër ditë pas votimit, ndërsa për Dhomën e Përfaqësuesve u deshën tetë ditë. Në zgjedhjet afatmesme të mëparshme, përkundrazi, rezultati ishte bërë i qartë që në natën e zgjedhjeve./mxh
