Last Updated on 12/08/2025 by adminfjala
Avokati, Spartak Ngjela ka hedhur një akuzë të fortë ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e cilësuar atë si një udhëheqës të paaftë që ka futur vendin në një gjendje paralize historike.
Sipas Ngjelës, Rama përpiqet të fshehë dështimet e qeverisë me premtime boshe për të ardhmen, ndërkohë që zhvillimi kombëtar ka ngecur dhe është kthyer thjesht në një “pikturë në kornizë” pa jetë.
Shqipëria, shpjegon avokati, ndodhet në një “gjendje ámulli”, ku askush nuk guxon të flasë për të ardhmen, ndërsa qytetarët janë të detyruar të zgjedhin “të keqen më të vogël” mes dy opsioneve të pafavorshme politike.
Reagimi i plotë i avokat Ngjelës
“Vetëm një kryeministër i paaftë, uzurpator i pushtetit dhe që nga injoranca mendon se i di të gjitha e mund të gënjejë të gjithë popullin e tij; vetëm ky tip kryeministri që vjen nga hiçi dhe do gjithçka; vetëm ky mund t’i thotë popullit: s’ka gjë që unë dështova këtë vit, se vitin tjetër do ta kryej të plotë të ardhurën e turizmit të cilën nuk e realizova dot në verën e vitit 2025. E kuptoni se ku jemi sot ne shqiptarët? Ne jemi sot tek asgjëja që kërkon shumë dhe e ka lënë Shqipërinë në një gjendje amulli ku askush nuk thotë dot gjë për vendin e tij; kurse kryeministri piktor e di zhvillimin kombëtar një kompozim pikture, sepse, mëndja e një personi me kapacitet artistik; kurrë nuk ka mundur të hyjë në mendjen e një niveli të lartë ekonomik. Atëherë? Ja, kjo është paraliza historike e Shqipërisë. Po shqiptarët çfarë do të bëjnë?
Shqiptarët aktualisht janë të shtrënguar që të zgjedhin të keqen më të vogël, Ramën, përpara të keqes me të madhe: Saliun. Por në thelb; kjo është sot një pengesë për shqiptarët, sepse këta nuk po shohin arsye politike në qeverinë që po drejton kryeministri Rama, dhe prandaj ne jemi sot si komb në një gjendje stopi; e cila ende është e pranueshme pikërisht brenda raportit që thamë: një zgjedhje e të keqes me të vogël midis dy të këqijave. Pse, a është e pranueshme një gjendje politike e cila të lë që të qëndrosh në vend pa zhvillim kombëtar? Një herë për një herë kjo është e pranueshme, sepse po të vijë sërish Sali Berisha në pushtet dëmi në zhvillimin kombëtar do të jetë katastrofik dhe kundër Shqiptarisë; sepse Shqipëria do të shkojë si shtet drejt impaktit shoqëror; sepse të gjithë do kërkojnë të emigrojnë.
Po Edi Rama? Këtë nuk e dimë: ndoshta shpërbërjen e Shqipërisë edhe atij mund t’ia ketë kërkuar Parisi. Por, edhe nëse ia ka kërkuar; lodhen kot… Sepse, jo Rama kështu siç është, por dhe Rama në fuqi të tretë sikur të jetë, nuk i bën dot gjë Shqipërisë. Pse? Sepse Shqipëria e bashkuar është sot skemë e studiuar nga aleati kryesor i Shqipërisë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe kjo është nevojë e thellë politiko-historike, sepse me Shqipërinë e Bashkuar Rusia nuk lëviz dot drejt Gadishullit Ilirik dhe Mesdheut, sa kohë që bota shqiptare në Gadishullin Ilirik është në aleancë të ngushtë ushtarake me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe një anëtare me të drejta të plota në NATO”, shkroi dje Ngjela./E.T
