Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se do të bashkëpunojë me fituesen e zgjedhjeve të 7 qershorit, Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), për një marrëveshje që do të çonte drejt formimit të institucioneve të reja. Por, vëzhguesit mbeten skeptikë se një marrëveshje e tillë do të ofronte zgjidhje, duke përmendur përçarjet brenda partisë që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku. Nënkryetari i LDK-së, Lufti Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se gjatë kuvendit partiak të mbajtur më 30 korrik, është arritur pajtimi që ky subjekt të bashkëpunojë me partinë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e institucioneve.
“Në parim ne jemi pajtuar. Është konfirmuar edhe nga kuvendi që LDK-ja do të marrë pjesë në procesin e bashkëpunimit për ndërtimin e institucioneve, duke dhënë kontribut në përballimin dhe largimin e një mundësie për zgjedhje tjera në Kosovë”, thekson Haziri për Radion Evropa e Lirë.
Bisedimet e LDK-së me LVV-në për një marrëveshje të mundshme u pezulluan më 15 korrik, për shkak të kërkesës së një pjese të zyrtarëve të LDK-së për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku, pas pakënaqësive për rezultatin zgjedhor.
Abdixhiku i mbijetoi mocionit për shkarkim, por dallimet dhe mospajtimet brenda LDK-së, të cilat janë shpërfaqur përmes votimit për dhe kundër tij, mbeten të qarta, vlerësojnë zyrtarë të lartë të LDK-së, por edhe njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë./mxh
