Hollywood-i duket se ka nisur të kërkojë fytyrën e Britney Spears dhe një emër i njohur ka dalë papritur në qendër të vëmendjes. Sydney Sweeney mund të jetë aktorja që do të sjellë në ekran historinë e ikonës së popit, në biopikun e shumëpritur që do të bazohet në autobiografinë “The Woman in Me”.
Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por emri i yllit të “Euphoria” po qarkullon në Hollywood. Sipas “OK! Magazine”, duke iu referuar një burimi anonim, Sweeney është “një nga emrat që po tërheq më shumë interes” për rolin e Britney Spears.
Dhe nëse kjo do të ndodhë, bëhet fjalë për një rol që mund të kthehet në një nga sfidat më të mëdha të karrierës së aktores.
Filmi do të sjellë në ekran jetën e Britney Spears përmes rrëfimit të saj në autobiografinë “The Woman in Me”, ku këngëtarja ka folur për fëmijërinë, famën e jashtëzakonshme, presionin e medias, marrëdhëniet, mëmësinë dhe vitet nën kujdestarinë ligjore që përfundoi në vitin 2021.
Por, pavarësisht zhurmës që ka shkaktuar emri i Sydney Sweeney, casting-u ende nuk është zyrtarisht në zhvillim.
Regjisori Jon M. Chu, i njohur për “Wicked”, ka treguar se aktualisht fokusi është te skenari. Skenari po shkruhet nga Liz Meriwether, krijuesja e “New Girl”, e cila po përpiqet të përmbledhë në një film rreth dy orësh një histori që shtrihet në dekada.
Chu ka treguar gjithashtu se merr vazhdimisht mesazhe nga aktore që duan të luajnë Britney-n, por ai nuk dëshiron të nxitojë me zgjedhjen.
“Sydney Sweeney” nuk është i vetmi emër që është përmendur. Për rolin kanë qarkulluar më herët edhe emrat e Millie Bobby Brown, Addison Rae, Bailee Madison dhe Kylie Schultz, ndërsa në faza të ndryshme janë përfolur edhe Sabrina Carpenter dhe Ariana Grande.
Madje, Jon M. Chu kishte reaguar më parë ndaj disa prej këtyre spekulimeve, duke mohuar se kishte nisur casting-u dhe duke bërë të qartë se projekti ishte ende në një fazë shumë të hershme.
Ndërkohë, historia e Britney Spears po merr gjithnjë e më shumë formë në prapaskenë. Universal Pictures ka siguruar të drejtat e autobiografisë, ndërsa në projekt janë përfshirë Jon M. Chu si regjisor dhe Marc Platt si producent. Vetë Britney Spears ka qenë e lidhur me projektin që në fillim./mxh