Mohammad Bagher Ghalibaf, kreu i Parlamentit iranian, po shfaqet si një nga figurat kyçe të regjimit në Teheran dhe si një nga emrat me të cilët Shtetet e Bashkuara do të dëshironin të uleshin për negociata.
Një figurë e fortë, me një karrierë që ndërthur politikën, sipërmarrjen dhe përvojën ushtarake, Ghalibaf ka dekada që qëndron në nivelet më të larta të pushtetit iranian.
Pas eliminimit të figurave kyçe
Zhvillimet e fundit kanë ndryshuar balancat e pushtetit në Iran. Pas vrasjes së Ali Khamenei dhe emërimit të djalit të tij Mojtaba si pasardhës, sipas disa analistëve është forcuar një krah më radikal i Gardës Revolucionare.
Këto struktura konsiderohen të gatshme të përballojnë edhe humbje të mëdha, duke u mbështetur në leva strategjike si kontrolli i Ngushticës së Hormuzit dhe ndikimi në tregjet globale të energjisë.
Në këtë kontekst, edhe figura të rëndësishme janë eliminuar. Mes tyre Ali Larijani, i konsideruar si një negociator i mundshëm, i cili u vra në mars. Eliminimi i tij dhe i figurave të tjera nuk arriti të destabilizojë regjimin, i cili duket se ka një strukturë të qëndrueshme dhe të organizuar për mbijetesë.
Një sistem pushteti i fragmentuar
Pas vdekjes së liderit suprem, strategjia e regjimit duket të jetë ndarja e pushtetit në disa nivele. Nga njëra anë qëndrojnë Gardat Revolucionare, me një rol gjithnjë e më dominues; nga ana tjetër mbetet një komponent politik me hapësira më të kufizuara.
Figura reformiste si presidenti Masoud Pezeshkian dhe ministri i Jashtëm Abbas Araghchi duket se kanë më pak ndikim real dhe luajnë më shumë rol përfaqësues.
Ghalibaf në qendër të skenës
Në këtë situatë, emri që po përmendet më shpesh është ai i Mohammad Bagher Ghalibaf. Sipas burimeve, SHBA-të kanë kërkuar një takim pikërisht me të.
I afërt me familjen Khamenei dhe mbështetës i Mojtaba Khamenei, Ghalibaf shihet si një figurë që ka marrë një rol drejtues në këtë fazë. Ai është aktiv në komunikimin publik dhe së fundmi ka bërë deklarata të forta politike, duke u pozicionuar qartë në konfliktin aktual.
Një karrierë e gjatë dhe e diskutueshme
I lindur në vitin 1961 në qytetin e shenjtë Mashhad, Ghalibaf ka ndërtuar një karrierë të gjatë në strukturat e shtetit iranian. Ai ka qenë komandant i Gardës Revolucionare gjatë luftës me Irakun, shef i policisë, kryetar i Bashkisë së Teheranit dhe aktualisht kryetar i Parlamentit.
I diplomuar në gjeografi politike, gjatë kohës si kryebashkiak ai kontribuoi në zhvillimin e infrastrukturës së kryeqytetit, veçanërisht në zgjerimin e metrosë.
Megjithatë, karriera e tij është shoqëruar edhe me akuza për korrupsion dhe me kritika për qasjen e ashpër ndaj protestave. Ai kujtohet për shtypjen e protestave studentore në fund të viteve ’90 dhe për rolin në represionin e protestave të vitit 2009, të njohura si “Lëvizja e Gjelbër”.
Në një intervistë të mëparshme, ai kishte deklaruar: “Ata që kanë përjetuar luftën dinë të marrin vendime më mirë se ata që nuk e kanë përjetuar”. /Marrë nga Corriere della Sera/kb
