Last Updated on 24/03/2026 by Anisa
Sulme gjatë gjithë natës në infrastrukturën energjetike të Iranit lanë zona të mëdha pa energji elektrike, ndërsa Teherani kërcënon me hakmarrje.
Edhe pse Trump pretendon se po zhvillon bisedime me Iranin dhe se pezullon sulmet ndaj objekteve energjetike, sulmet vazhduan dhe preknin po rrjetet energjitike.
Teherani mohoi se po zhvillohen bisedime me SHBA dhe nisi një valë të re sulmesh ndaj objekteve energjetike në rajon si hakmarrje.
Me vëmendjen e kthyer nga Irani, Izraeli vijon operacionet e tij në Liban, ku të paktën 1,039 persona janë vrarë që nga 2 marsi.
Interceptime raketash në Haifa
Sirenat u aktivizuan në Akra dhe në periferi të Haifas, pasi Hezbollahu njoftoi një sulm raketor nga Libani.
Ushtarakët izraelitë thanë se shumica e raketave u neutralizuan dhe nuk ka raporte për rrëzime raketash ose të lënduar.
Zyrtarët izraelitë: Trump i vendosur për marrëveshje me Iranin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, duket i vendosur të arrijë një marrëveshje me Iranin për të ndaluar sulmet në Lindjen e Mesme, thanë tre zyrtarë të lartë izraelitë për Reuters.
Ata shtuan se është e pamundur që Irani të pranojë kërkesat e SHBA-së në një raund të ri bisedimesh, të cilat u ndërprenë më 28 shkurt me fillimin e luftës amerikano-izraelite kundër Iranit.
Kërkesat e SHBA-së përfshijnë ndalimin e programeve bërthamore dhe raketore të Iranit.
Trump shkroi të hënën në rrjetet sociale se SHBA dhe Irani kishin “bisedime shumë të mira dhe produktive” për një “zgjidhje të plotë të konflikteve në Lindjen e Mesme”.
Irani reagoi duke thënë se nuk janë zhvilluar bisedime.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të hënën se Trump besonte se ishte e mundur të shfrytëzohen arritjet e ushtrisë izraelite dhe asaj amerikane për të arritur në një marrëveshje që do të ruante interesat jetike të Izraelit.
New York Times: Pentagon-i shqyrton mundësinë e dërgimit të parashutistëve amerikanë në Iran
Sipas “The New York Times”, zyrtarët e lartë të ushtrisë amerikane po shqyrtojnë mundësinë e dërgimit të parashutistëve amerikanë në Iran për të marrë kontrollin e nyjes kryesore të eksportit të naftës, ishullin Kharg, i cili u dëmtua nga sulmet ajrore amerikane.
Zyrtarët theksuan se kjo është pjesë e planifikimit afatgjatë dhe nuk janë dhënë urdhra nga Pentagon-i ose Komanda Qendrore e SHBA, e cila refuzoi të komentojë.
Nëse aprovohet operacioni, zyrtarët po konsiderojnë sulmin me 2,500 ushtarë shtesë nga njësia e Marinës, e cila është duke u dërguar në rajon. Ish-komandantët amerikanë thanë se inxhinierët mund të riparojnë aeroporte dhe infrastrukturën për të lehtësuar furnizimin e forcave amerikane.
Irani: Forcat izraelite në Gaza dhe Liban do të jenë objektiv nëse sulmojnë civilët
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve “Republic News Agency”, transmetuar nga Reuters, Garda e Revolucionit të Iranit paralajmëroi ushtrinë izraelite se forcat e saj përgjatë kufijve me Libanin dhe Rripin e Gazës do të jenë objektiv “pa asnjë kufizim” në rast sulmesh ndaj civilëve në territoret palestineze dhe Liban.
Izraeli: Sulmoi selitë e shërbimeve sekrete të Gardës Revolucionare në Teheran
Ushtria izraelite njoftoi sulme ajrore gjatë natës ndaj magazinave të raketave balistike dhe disa ndërtesave qeveritare në Iran, përfshirë dy seli qendrore të shërbimeve sekrete të Gardës së Revolucionit dhe një ndërtesë të Ministrisë së Informacionit në Teheran.
Mes 50 objektivave të sulmuara përfshiheshin gjithashtu magazina armësh dhe sisteme mbrojtjeje ajrore.
