Historia e Suel Çelës me drejtësinë dhe organet ligjzbatuese nis në vitin 2006 në Elbasan. Në atë kohë, vetëm 18-vjeçar, ai u arrestua si i dyshuar për vrasjen me armë zjarri të Roland Mustës. Ndaj tij u ngritën akuza për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje. Gjatë shqyrtimit gjyqësor, një sërë provash u shpallën të pavlefshme nga gjykata dhe në përfundim Çela u lirua në sallën e gjyqit. Gjyqtarët që dhanë vendimin e lirimit ishin Pajtime Fetahu, Zihni Shahu dhe Bujar Musta. Vendimi u kundërshtua ashpër nga familjarët e viktimës.
Në shtator të vitit 2017, ai u bë i njohur pas një përplasjeje me Policinë e Elbasanit në hyrje të tregut agro-ushqimor të qytetit. Sipas prokurorisë, një automjet “Audi” i blinduar, që dyshohej se drejtohej prej tij, u përplas me mjetin e policisë ku ndodhej zëvendësdrejtori Gjergj Oshafi dhe më pas u fut në ambientet e brendshme të tregut. Porta u mbyll dhe ai u largua nga vendi i ngjarjes. Prokuroria kërkoi 7 vite burg, por në nëntor 2019 Gjykata e Elbasanit e shpalli të pafajshëm për mungesë provash, ndërsa një person tjetër u dënua si autor i ngjarjes.
Për vite me radhë, emri i tij mbeti kryesisht brenda kufijve të Elbasanit, ku konsiderohej person me ndikim, gjë që është artikuluar edhe nga palët politike. /et
