Një ngjarje e rëndë ka tronditur Fushë Arrëzin, ku një çift bashkëshortësh është dhunuar brutalisht nga persona ende të paidentifikuar. Sipas informacioneve paraprake të policisë, Skënder dhe Bardhe Nika janë goditur me mjete të forta nga dy persona, duke përfunduar në spital me plagë të rënda.
Dyshimet e para të hetuesve lidhen me një denoncim që çifti kishte bërë disa javë më parë pranë policisë. Sipas burimeve mediatike, ata kishin dhënë informacione që çuan në zbulimin e disa parcelave të kultivuara me kanabis. Parcelat e zbuluara dyshohet se u përkisnin shtetasit në kërkim P. Delia dhe dy djemve të tij.
Duke komentuar ngjarjen analisti dhe gazetari Mentor Kikia shkruan si më poshtë:
“Masakrohet një çift sepse bashkëpunoi me shtetin!
Një çift në Fushë Arrëz është dhunuar brutalisht, me mjetet të forta, nga disa persona të paidentifikuar. Sipas policisë, dyshohet se bëhet fjalë për dy persona të cilët kanë goditur me sende të forta bashkëshortët Skënder e Bardhe Nika. Media, që i referohet policisë, njofton se “dyshohet se ata janë dhunuar pasi disa javë më parë i kanë dhënë policisë informacione të dobishme për zbulimin e disa parcelave ku kultivohej kanabis. Parcelat e fidanëve të zbuluar para pak javësh dyshohet se u përkisnin shtetasve në kërkim P.Delia bashkë me dy djemtë e tij”.
Një shtet funksional mbështetet fort tek bashkëpunimi dhe partneriteti me qytetarin.
-Qytetari denoncon kur shikon se dikush hedh mbeturina nga makina në rrugë!
-Qytetari denoncon kur shikon se fqinjit po i vjedhin shtëpinë!
-Qytetari sinjalizon policinë kur shikon që fqinji i dehur po dhunon gruan apo familjen!
-Qytetari denoncon kur shikon një krim!
Pa bashkëpunimin e qytetarëve, asnjë shtet nuk do mund të zbulonte të gjitha krimet që ndodhin, nga më i lehti tek më i rëndi.
Por, shteti kujdeset FORT që qytetari bashkëpunues të mos ekspozohet. Sepse krimineli hakmerret.
Pyetja që ngre sot është: Si e mësuan kultivuesit e canabisit, se informacionin e ka dhënë ky çift që sot dergjet në spital?
Sa e dëmtojnë të tilla raste bashkëpunimin qytetar-shtet?
Kush guxon ti bjerë 129-ës e të thotë: Pash këtë ngjarje, apo pash këtë hajdut, e pashë këtë shkelje ligjire?
Ndaj, për këtë çështje, veç kapjes së kriminelëve, hetimi duhet të synojë denoncuesin e denoncuesve. A është ai brenda radhëve të policisë, apo jo? Policia duhet ta qartësojë këtë.”/a.d