Parlamenti i Hungarisë miratoi sot një amendament kushtetues që i ndalon ish-kryeministrit të djathtë populist Viktor Orban të rikthehet ndonjëherë në krye të qeverisë.
Ndryshimi vjen pas humbjes së tij në zgjedhjet parlamentare të prillit dhe shënon një kthesë të rëndësishme në politikën hungareze.
Propozimi u paraqit nga kampi i kryeministrit të ri Peter Magyar dhe u miratua me 135 vota pro, 50 kundër dhe 6 abstenime.
Sipas amendamentit, askush nuk mund të mbajë postin e kryeministrit nëse ka shërbyer në atë detyrë për të paktën tetë vjet në total.
Orban ka qenë kryeministër për rreth 20 vjet në dy periudha të ndryshme, fillimisht nga viti 1998 deri në 2002 dhe më pas nga 2010 deri në 2026. Për shkak të kohëzgjatjes së mandatit të tij, rregulli i ri e përjashton përfundimisht nga mundësia për t’u rikthyer në krye të qeverisë.
Kufizimi nuk prek vetëm Orbanin.
Edhe Magyar do t’i nënshtrohet të njëjtit rregull, duke pasur mundësinë të qëndrojë në detyrë për maksimumi dy mandate të plota parlamentare. Nëse nuk mbahen zgjedhje të parakohshme, ai mund të rizgjidhet vetëm një herë.
Vendosja e kufijve të tillë për mandatin e kryeministrit është relativisht e pazakontë në demokracitë moderne parlamentare. Megjithatë, gjatë fushatës zgjedhore, kjo ishte një nga premtimet kryesore të partisë konservatore Tisza të drejtuar nga Magyar.
Në zgjedhjet parlamentare të 12 prillit, Tisza arriti një fitore të qartë ndaj partisë Fidesz, të ish kryemnistrit Orban.
Shumica e re prej dy të tretash në parlament i ka dhënë qeverisë së Magyarit mundësinë të ndryshojë kushtetutën e hartuar gjatë qeverisjes së Orbanit dhe të amenduar vazhdimisht gjatë 16 viteve të fundit.
Amendamenti i miratuar sot konsiderohet si një nga ndryshimet më domethënëse politike në Hungari që nga largimi i Orbánit nga pushteti, duke synuar të kufizojë përqendrimin afatgjatë të pushtetit në duart e një personi të vetëm. /mxh
