Kylie Jenner ka folur hapur për planet e saj për të zgjeruar familjen, duke zbuluar se aktualisht nuk e sheh veten duke pasur një tjetër fëmijë, as përmes shtatzënisë dhe as përmes një nëne surrogate.
Deklarata e yllit të “Kardashians” erdhi gjatë një episodi të serialit të ri reality të motrës së saj, Khloé Kardashian, “The Girls”. Gjatë një video-telefonate, mikja e familjes Yris Palmer i tregoi Kylie-t se po mendonte të kishte një tjetër fëmijë përmes surrogacisë.
Biseda bëri që 29-vjeçarja të fliste për planet e saj. “Më beso, mendimi për të mbajtur një tjetër fëmijë tani më duket i çmendur”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse do të zgjidhte një nënë surrogate, themeluesja e Kylie Cosmetics u përgjigj: “Nuk mendoj kështu.”
“Mund të mos them jo, jo, por jam 99.9 për qind e sigurt se nuk do ta bëja”, shtoi Jenner.
Kylie, e cila ka dy fëmijë nga lidhja e saj e mëparshme me reperin Travis Scott, shpjegoi gjithashtu se nuk e sheh të nevojshme surrogacinë, pasi sipas saj ka pasur shtatzëni të shëndetshme dhe fëmijë të shëndetshëm.
Jenner u bë nënë për herë të parë në vitin 2018, kur solli në jetë vajzën Stormi. Katër vite më vonë, ajo dhe Travis Scott u bënë prindër të një djali, Aire.
Megjithatë, pavarësisht deklaratës së saj të fundit, Kylie ka lënë të kuptohet më parë se në të ardhmen dëshiron të ketë më shumë fëmijë. Në mars, gjatë një interviste për “Vanity Fair”, ajo tha se dëshiron “më shumë fëmijë”, por theksoi se për momentin dëshiron të përqendrohet te vetja, bizneset, puna, udhëtimet dhe koha me fëmijët e saj.
Ndërkohë, lidhja e saj me aktorin Timothée Chalamet vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes. Dyshja janë në një lidhje prej rreth tre vitesh, ndërsa aktori 30-vjeçar ka dhënë më herët sinjale se ideja për të pasur fëmijë mund të jetë pjesë e së ardhmes së tij.
Në një intervistë për “Vogue”, Chalamet e cilësoi si “të zymtë” idenë e dikujt që mburret se nuk ka fëmijë për shkak të kohës që kjo i jep për të bërë gjëra të tjera.
Aktori ka zgjedhur të jetë i rezervuar kur bëhet fjalë për marrëdhënien me Kylie-n, por gjatë ceremonive të çmimeve në fillim të këtij viti ai nuk ka ngurruar t’i dedikojë asaj fjalë të ëmbla.
Gjatë fjalimit të tij në Critics Choice Awards, Chalamet e falënderoi publikisht partneren e tij prej tre vitesh, duke i thënë: “Faleminderit për themelin tonë. Të dua. Nuk do të mund ta bëja këtë pa ty.”
Edhe pse të dy duket se janë të lumtur në marrëdhënien e tyre, për momentin Kylie Jenner duket se nuk ka plane të afërta për të sjellë në jetë një tjetër fëmijë. Ajo preferon të shijojë familjen që ka krijuar dhe të fokusohet te fëmijët, puna dhe projektet e saj personale./mxh
