Aktorja e njohur turke Gülsen Tuncer, e cila u bë e dashur për publikun shqiptar dhe turk përmes rolit të Arsen Hanım në serialin “Dashuri e Ndaluar”, po kalon një periudhë të vështirë shëndetësore.
Artistja 81-vjeçare është diagnostikuar me një tumor të gradës së dytë në tru, ndërsa për shkak të gjendjes së saj shëndetësore raportohet se ka humbur aftësinë për të folur dhe shkruar. Tuncer ndodhet aktualisht nën trajtim, ndërsa lajmi ka shqetësuar jo vetëm fansat, por edhe kolegët e saj në botën e artit.
Informacioni për gjendjen e aktores u bë publik nga organizata që përfaqëson dhe mbështet profesionistët e kinemasë dhe televizionit në Turqi, njoftoi se aktorja po përballet me probleme të rënda shëndetësore e cila përmes një postimi në rrjetet sociale kërkoi lutje dhe i uroi shërim të shpejtë artistes. Në deklaratë nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi sëmundjen apo trajtimin e saj.
Gülsen Tuncer ka një karrierë të gjatë në teatër, kinema dhe televizion. E lindur në vitin 1945 në Adana, ajo u diplomua në Departamentin e Teatrit në Konservatorin Komunal të Stambollit, ku pati mundësinë të trajnohej edhe nga emra të njohur të skenës turke, si Yıldız Kenter dhe Ayla Algan.
Karrierën profesionale në teatër e nisi në vitin 1968 në Gülriz Sururi-Engin Cezzar Tiyatrosu, ndërsa më pas u angazhua në dhjetëra projekte televizive dhe kinematografike. Përveç aktrimit, Tuncer ka punuar për vite edhe pas kamerave, duke marrë pjesë si asistente dhe ndihmëse regjisori në rreth 40 filma.
Në kinema, ajo u vlerësua edhe me çmime për interpretimet e saj, ndërsa ndër filmat ku ka spikatur janë “Bir Tren Yolculuğu” dhe “Soğuktu ve Yağmur Çiseliyordu”.
Megjithatë, për publikun e gjerë, një nga rolet e saj më të paharrueshme mbetet Arsen Hanım në “Aşk-ı Memnu”, seriali që vazhdon të ketë një audiencë të madhe edhe përmes ritransmetimeve.
Pas lajmit për gjendjen e saj, rrjetet sociale janë mbushur me mesazhe mbështetjeje dhe urime për shërim. Fansat dhe kolegët e artistes shpresojnë që Gülsen Tuncer ta kalojë këtë periudhë të vështirë dhe të marrë një lajm të mirë për shëndetin e saj./mxh
