Last Updated on 11/09/2026 by EL
Analisti dhe gazetari Mentor Kikia, ka analizuar largimin e Besfort Lamallarit nga drejtimi i Ministrisë së Brendshme dhe zëvendësimin e tij me Ervin Demon.
Sipas Kikias, ndryshimet e shpeshta në krye të dikastereve kryesore shfaqin probleme strukturore në qeverisje.
Ai vuri në dukje se Lamallari drejtoi dy ministri të ndryshme brenda një viti, duke shërbyer gjashtë muaj si Ministër i Drejtësisë dhe më pas si Ministër i Brendshëm.
“Nuk besoj se Lamallari performoi mirë dhe këtu nuk besoj se është krejtësisht përgjegjësi e tij. Ministritë nuk mund të ndërrohen çdo tre javë sikur të jenë roje parkingu. Lëvizjet e shpejta dhe të shpeshta në institucione tregojnë ose paqëndrueshmëri, ose mungesë vizioni,” deklaroi Kikia.
Gjatë analizës së tij, Kikia sqaroi se ekziston një perceptim i gabuar publik se Ministria e Brendshme është vetëm një “ministri policie” për rendin dhe krimin. Ai kujtoi se që nga periudha e qeverisjes së Fatos Nanos, kur nisi ndarja mes rendit publik dhe pushtetit vendor, këto dikastere janë shkrirë e ndarë disa herë.
Në përfundim, ai u shpreh se lëvizja aktuale lidhet edhe me reformën territoriale dhe nevojat e pushtetit vendor. Sipas Kikias, institucionit i nevojitej një drejtues me përvojë direkte në këtë fushë, një profil që në kabinetin qeveritar nuk e zotëronte askush tjetër më shumë se Ervin Demo./et
