Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi të mërkurën se, pavarësisht deklaratave pozitive për marrëdhëniet mes Moskës dhe Uashingtonit, në praktikë “nuk po ndodh asgjë”.
Në një intervistë, Lavrov tha se presidenti amerikan Donald Trump ka rifilluar dialogun me Rusinë dhe me presidentin rus Vladimir Putin, duke përfshirë edhe kontakte në nivele të ndryshme diplomatike. Megjithatë, sipas tij, kjo nuk është përkthyer në rezultate konkrete.
Lavrov u shpreh se, ndonëse po flitet për mundësi të mëdha bashkëpunimi në fusha si teknologjia, energjia dhe ekonomia, në realitet “asgjë nuk po realizohet”. Ai shtoi se dialogu ekzistues është thjesht formal dhe i ngjashëm me atë të administratës së mëparshme amerikane.
Sipas ministrit rus, sanksionet e vendosura ndaj Rusisë gjatë administratës së Joe Biden vazhdojnë të mbeten në fuqi, ndërsa edhe administrata aktuale amerikane ka ndërmarrë, siç tha ai, hapa të rinj për të ushtruar presion mbi ekonominë ruse.
Deklaratat e Lavrov vijnë në një kohë kur Moska dhe Uashingtoni kanë rihapur kanale komunikimi diplomatik, por pa shënuar përparim të dukshëm në çështjet kryesore, përfshirë luftën në Ukrainë dhe marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve./mxh
