Vendimet presidenciale mund të nënkuptojnë jetë a vdekje për miliona njerëz në mbarë botën – prandaj ekzistojnë garanci kushtetuese. Por a funksionojnë ato në praktikë?
Gaby Hinsliff*
Aftësitë njohëse të Donald Trump janë të jashtëzakonshme. Aq të jashtëzakonshme! Aq të mëdha! Shumë më të mira se të çdo kandidati tjetër “budalla” presidencial që mund të përmendësh – të paktën sipas vetë Trumpit, i cili javën e kaluar u mburr sërish se kishte kaluar me sukses, disa herë radhazi, atë që ai e quan “një test shumë të vështirë për shumë njerëz”. (Mendohet se ai i referohet një testi për zbulimin e dëmtimeve të lehta njohëse te të moshuarit.)
Sigurisht, lideri 79-vjeçar i botës së lirë kohët e fundit ndërpreu një mbledhje kabineti, në mes të një lufte, për të folur gjatë për një bisedë që pretendohet se kishte bërë me drejtuesin e kompanisë së stilolapsave Sharpie për furnizimin me stilolapsa presidencialë të personalizuar – për të cilën kompania tha se nuk kishte asnjë të dhënë. Po ashtu bëri një shaka të pakuptimtë për Pearl Harbor gjatë një konference për shtyp përpara një kryeministri japonez që dukej i alarmuar. Dhe e quajti ngushticën e Hormuzit “ngushtica e Trumpit”, duke shtuar se kjo ishte plotësisht e qëllimshme, sepse “te unë nuk ka aksidente”. Por gjithsesi, për të qenë të qartë, gjendja e tij mendore është e shkëlqyer. Më e shkëlqyera!
Le të supozojmë, megjithatë, se nuk është kështu. Le të imagjinojmë, vetëm për hir të argumentit, se 61% e amerikanëve (sipas Reuters-Ipsos) që mendojnë se presidenti i tyre është bërë më i paqëndrueshëm me kalimin e moshës dhe 56% që besojnë se ai nuk ka më mprehtësinë mendore për t’u përballur me sfidat (sipas një sondazhi të fundit për Washington Post), nuk e kanë gabim. Le të supozojmë se, ashtu siç ndodhi me Joe Biden në moshë të thyer, miliona amerikanë kanë perceptuar përmes ekranit të televizorit diçka që ndikon realisht në aftësinë e presidentit për të dërguar mijëra ushtarë të rinj drejt një vdekjeje të mundshme në Lindjen e Mesme – pavarësisht nëse kjo gjë përbën apo jo një diagnozë klinike.
Imagjinoni sikur ata kanë të drejtë të dyshojnë se jetët e panumërta njerëzish në mbarë botën varen nga gjykimi i dikujt që mund të mos jetë plotësisht në lartësinë e detyrës – përfshirë edhe 45 milionë njerëz që rrezikojnë urinë e rëndë nëse fermerët nuk arrijnë të sigurojnë plehra kimike, një nënprodukt kyç i industrisë së gazit në Gjirin Persik, tashmë e ndërprerë rëndë. Çfarë do të duhej, hipotetikisht, që sistemi të sfidonte vullnetin e një presidenti të zgjedhur?
Është e çuditshme që kjo është kthyer në një temë tepër delikate për t’u diskutuar publikisht, duke pasur parasysh çfarë është në lojë. Edhe pse SHBA ka mekanizma kontrolli dhe balancash për të ndaluar një president që të dalë jashtë kursit, asnjëri prej tyre nuk duket i papërshkueshëm. Pengesa përfundimtare është detyrimi për të marrë miratimin e Kongresit përpara shpalljes së luftës – një mekanizëm që mund të ndalë këtë konflikt dhe të parandalojë të tjerë në të ardhmen.
Megjithatë, Trump ka arritur deri në pikën e përgatitjes së afro 10,000 trupave për dislokim në Lindjen e Mesme, në prag të një pushtimi, pa këtë miratim. Dhe shifra të tilla krijojnë një momentum të vetin në konflikt. Edhe nëse ai thjesht po bën blof, pala tjetër mund të mos e dijë këtë. Shenjat e para të alarmit kanë nisur të shfaqen edhe brenda Partisë Republikane, pas një informimi sekret për ligjvënësit javën e kaluar. Por për momentin, duket se Wall Street ka më shumë ndikim frenues sesa Uashingtoni.
Nëse gjithçka tjetër dështon, sipas Amendamentit të 25-të, një president mund t’i pezullohen kompetencat nëse zëvendëspresidenti dhe shumica e kabinetit bien dakord se ai nuk është i aftë për detyrën. Por në praktikë, kjo dispozitë përdoret rrallë dhe zakonisht vetëm me pëlqimin e vetë presidentit, siç ndodhi me George W. Bush gjatë një operacioni nën anestezi.
Madje as kontrollet mjekësore të rregullta nuk garantojnë transparencë të plotë. Dobësia e Joe Biden u bë e qartë vetëm pasi ai hoqi dorë nga kandidimi për një mandat të dytë. Publiku nuk e dinte, deri pas vdekjes, se John F. Kennedy përdorte një përzierje amfetaminash dhe steroidesh gjatë krizës së raketave kubane. Po kështu, britanikët nuk e dinin se Winston Churchill pinte në mënyrë të tepruar, apo se Harold Wilson shfaqte shenja të hershme demence në ditët e tij të fundit në detyrë.
Në praktikë, garancitë kushtetuese janë aq të forta sa vendosmëria e rrethit të ngushtë të liderit për të thënë të vërtetën – njerëz që shpesh janë të përkushtuar ta mbajnë atë në pushtet me çdo kusht.
Pse do ta fshihte dikush të vërtetën për një lider që po dobësohet fizikisht apo mendërisht? Frika është përgjigjja më e dukshme: frika nga hakmarrja, humbja e ndikimit, apo paniku publik. Por ekziston edhe një arsye më pak e dukshme – besnikëria e fortë, madje edhe dashuria, që lind nga vitet e gjata në politikë.
Nëse po e lexoni këtë si një bir apo bijë e prindërve të moshuar, kujtesa e të cilëve ka nisur të dobësohet, ju e dini sa kohë duhet nga dyshimi i parë deri te një diagnozë e qartë – dhe sa net pa gjumë ka në mes. A duhet ende të drejtojnë makinën? A janë bërë rrezik për të tjerët? A është e sigurt të menaxhojnë paratë e tyre? Frika për të ndërhyrë shumë herët përplaset me ndjenjën e fajit nëse ndodh diçka e keqe.
Pikërisht për të kapërcyer këto dilema emocionale ekzistojnë garancitë kushtetuese për liderët politikë. Sepse pa to, ne të gjithë mund të jemi thjesht pasagjerë në një kamion të fuqishëm që vrapon me shpejtësi – duke parë të pafuqishëm nga sedilja e pasme, ndërsa shoferi humbet drejtimin, dhe duke pyetur veten sa afër duhet të jemi me përplasjen që dikush të ngrihet e të flasë.
Gaby Hinsliff është kolumniste e Guardian.
