Vatikani ka konfirmuar shkishërimin e gjashtë klerikëve pas shugurimeve (ceremonitë fetare) të kryera pa lejen e Papës nga Shoqëria ultra-konservatore e Shën Piut X.
Sipas Kongregatës për Doktrinën e Fesë, katër peshkopë të kësaj lëvizjeje tradicionaliste, si edhe dy peshkopë të tjerë të përfshirë në proces, janë përjashtuar nga Kisha Katolike. Me këtë vendim, ata humbasin të gjitha funksionet dhe nderimet kishtare.
Autoritetet e Vatikanit theksuan se ceremonitë janë kryer kundër vullnetit të shprehur të Papa Leone XIV, duke u cilësuar si një “akt me natyrë skizmatike”, pra një veprim që synon ndarjen e Kishës Katolike.
Kongregata paralajmëroi gjithashtu klerikët dhe besimtarët që të mos bashkohen me këtë lëvizje, e cila konsiderohet jashtë Kishës.
Kush janë të përfshirët
Vendimi prek peshkopin spanjoll Alfonso de Galarreta, i cili kreu shugurimin, si dhe katër peshkopët e rinj: Pascal Schreiber nga Zvicra, Michael Goldade nga SHBA-të, dhe Michel Poinsinet de Sivry dhe Marc Hanappier nga Franca. Gjithashtu është përfshirë edhe peshkopi zviceran Bernard Fellay për rolin e tij në këtë proces.
Shugurimet u kryen të mërkurën, 1 korrik, në Écône të Zvicrës, pavarësisht paralajmërimeve të qarta të Vatikanit se një veprim i tillë pa miratimin e Papës do të sillte shkishërim automatik.
Një përplasje e vjetër brenda Kishës Katolike
Shoqëria e Shën Piut X është një lëvizje e krijuar në vitin 1970 nga kryepeshkopi francez Marcel Lefebvre dhe kundërshton disa nga reformat kryesore të Këshillit të Dytë të Vatikanit (1962-1965), i cili ndryshoi marrëdhëniet e Kishës me fetë e tjera dhe lejoi përdorimin e gjuhëve vendase në meshë, në vend të latinishtes.
Edhe më parë, në vitin 1988, Lefebvre kishte shuguruar katër peshkopë pa lejen e Papës Gjon Pali II, duke sjellë shkishërimin e tij dhe të tyre.
Më vonë, në vitin 2009, Papa Benedikti XVI e hoqi këtë ndëshkim si një gjest pajtimi, por vendimi shkaktoi debat të madh në botë./mxh
