George Monbiot*
Kujtesa jonë politike na tradhton. I trajtojmë politikat qeveritare sikur po i shohim për herë të parë. Por shumë nga ajo që duket si risi ka rrënjë të thella historike. Nëse nuk i kuptojmë ato rrënjë dhe tokën ku rriten, do të dështojmë t’u rezistojmë sulmeve ndaj njerëzores sonë.
Sulmi i ri i ministres së Brendshme ndaj të drejtave të emigrantëve dhe refugjatëve është tronditës dhe çorientues. Shabana Mahmood dëshiron të rrisë periudhën e kualifikimit për emigrantët që të fitojnë leje qëndrimi të përhershme në MB nga pesë në 10 vjet (dhe deri në 20 për refugjatët). Duket e pabesueshme. Po aq i pabesueshëm duket edhe sulmi më i gjerë ndaj azilkërkuesve, duke u mohuar atyre statusin e përhershëm të refugjatit edhe nëse kërkesa e tyre pranohet. Por të dyja janë në mënyrë të frikshme të njohura.
Pak më shumë se një shekull më parë, në vitin 1924, kryeministri Stanley Baldwin kërkoi të qetësonte të djathtët duke emëruar Sir William Joynson-Hicks si ministër të Brendshëm. Siç vëren Martin Pugh në librin e tij të vitit 2005 Hurrah for the Blackshirts!, Joynson-Hicks ishte “vendosur si një antisemit i papenduar”. Si ministër i Brendshëm, ai “rriti pengesën” për emigrantët që të arrinin “natyralizimin” (ekuivalente me lejen e përhershme të qëndrimit) “nga pesë në 10 vjet, dhe në 15 vjet për rusët”. “Rusët” zakonisht nënkuptonte refugjatë hebrenj që iknin nga pogromet dhe shtypje të tjera.
Joynson-Hicks e bëri sa më të vështirë vendosjen e refugjatëve në MB. Siç ka vënë në dukje historiani David Cesarani, ministri i Brendshëm “u dha udhëzime oficerëve të emigracionit të shtonin vigjilencën dhe të mos u jepnin kurrë përfitimin e dyshimit të huajve që përpiqeshin të hynin në vend”. Ai vizitoi portet “për të shqyrtuar procedurat më të ashpra dhe për të nxitur zyrtarët në zell më të madh”. Me fjalë të tjera, ndonëse nuk ka asnjë sugjerim se Mahmood është antisemite si Joynson-Hicks, politikat e tij e parashikuan në mënyrë të çuditshme kursin e saj.
E njëjta gjë vlen për kontekstin. Shtypi i djathtë, i udhëhequr nga The Times, Daily Mail, Daily Express, National Review dhe Morning Post, kishte kaluar 20 vitet e mëparshme duke nxitur paranojë për një “përmbytje” të “të huajve” dhe “të padëshiruarve” që hynin në vend. “Të huaj” dhe “të padëshiruar” shpesh ishin kode për hebrenjtë. Hebrenjtë në Britani akuzoheshin gjerësisht për “tribalizëm”, për refuzim të “asimilimit”, për të qenët “jo-anglezë” e jopatriotë dhe për “shfrytëzim” të shtetit. Imperial Fascist League shpërndante afishe me sloganin: “Britanikë! Mos lejoni hebrenjtë të korruptojnë vajzat e bardha.” Emigrantët hebrenj fajësoheshin për mungesën e banesave dhe papunësinë.
Joynson-Hicks fliste me përçmim për hebrenjtë, të cilët – sipas tij – “vendosnin kombësinë e tyre hebraike apo të huaj mbi atë angleze” dhe besonte se e majta “do të donte ta shihte Anglinë të përmbytur nga mbeturinat e huaja të çdo vendi në botë”. Shumë të djathtë besonin në një komplot për krijimin e një rendi botëror hebraik.
Me fjalë të tjera, historitë që sot tregohen për myslimanët dhe emigrantët janë të njëjtat histori që tregoheshin për hebrenjtë një shekull më parë. Sot si myslimanët ashtu edhe emigrantët akuzohen për tribalizëm dhe mungesë asimilimi, për armiqësi ndaj “vlerave britanike” dhe për “korruptim të vajzave të bardha”. Ata fajësohen për mungesën e banesave, papunësinë dhe për “shfrytëzim” të shtetit. Teoritë konspirative të së djathtës pretendojnë se myslimanët në Britani kërkojnë të krijojnë një rend islamik global në formën e një “kalifati global”. Figura si Suella Braverman dhe Matthew Goodwin sugjerojnë se njerëzit nga minoritetet etnike nuk mund të jenë vërtet anglezë apo britanikë. Braverman propozon një përkufizim fjalë për fjalë “gjak dhe tokë” të anglezërisë, “të rrënjosur në prejardhje, trashëgimi dhe, po, etnicitet”, me “lidhje brezash me tokën angleze”.
Ashtu si përgjithësimet e vjetra për hebrenjtë, këto karakterizime janë krejtësisht të rreme. Një sondazh muajin e kaluar tregoi se myslimanët në MB dhe SHBA kanë më shumë gjasa se jomyslimanët të besojnë se “demokracia është sistemi më i mirë i qeverisjes” dhe të shprehin besnikëri ndaj vendit.
Pra, pse gjithë kjo urrejtje? Burimi kryesor është i njëjtë si një shekull më parë: media. Ende Daily Mail (tani në pronësi të Lordit të 4-t Rothermere), Express dhe gazeta të tjera derdhin përçarje dhe helm në jetët tona. Sot atyre u shtohen platforma si GB News dhe rrjeti social X. Por ashtu si 100 vjet më parë, qeveritë fajësojnë këdo tjetër për polarizimin dhe urrejtjen. Javën e kaluar, si Keir Starmer ashtu edhe Nigel Farage, sikur lexonin nga i njëjti tekst, akuzuan Partinë e Gjelbër për “sektarizëm”, që duket se nënkupton se ajo tërhoqi vota myslimane. A është “sektar” tani kod për mysliman?
Nëse doni të ndalni urrejtjen dhe përçarjen, përballuni me median e djathtë. Edhe kjo është një mësim nga e kaluara. Aleanca mes Daily Mail-it të Lordit të parë Rothermere dhe Oswald Mosley me Bashkimin Britanik të Fashistëve mund të kishte sjellë katastrofë. Por në vitin 1934, pasi u botua artikulli famëkeq Hurrah for the Blackshirts! dhe Mosley mbajti mitingun e tij gjigant në Olympia të Londrës, një nga reklamuesit më të mëdhenj të gazetës, J Lyons and Co, kërcënoi me bojkot nëse gazeta nuk tërhiqte mbështetjen për fashizmin. Kur Daily Mail u tërhoq, lëvizja e Mosley-t nisi të zbehej.
Sigurisht, nuk duhet t’u lihej reklamuesve. Atëherë dhe tani, është qeveria që duhet të përballet me gënjeshtrat e medias. Në vend të kësaj, ajo i përkrah dhe u përkulet oligarkëve.
Një pasojë është se qeveritë janë gjithmonë prapa kurbës. Migracioni neto mund të bëhet negativ këtë vit, me pasoja të rënda për shërbimet publike thelbësore – sidomos spitalet, shtëpitë e kujdesit dhe universitetet – si edhe për shumë punëdhënës privatë. Në aspektin politik, politikat e djathta të qeverisë janë po aq shkatërruese. Sondazhet e fundit tregojnë për herë të parë në histori Partinë e Gjelbër përpara Laburistëve, ndërsa vetëm 37% e atyre që votuan Laburistët në 2024 thonë se do ta bënin sërish – një rënie tronditëse. Për të kënaqur shtypin miliarder, qeveria e Starmer-it i ka vënë zjarrin shtëpisë së vet.
“Nga të huajt intrigantë që minojnë vlerat tona” është një narrativë e ndërtuar prej më shumë se një shekulli, fillimisht nga antisemitët. Ajo na është ngulitur në mendje si e vërtetë e pakundërshtueshme. Krijon një mjedis ku çdo minoritet bëhet më pak i sigurt – jo vetëm myslimanët, emigrantët e rinj, refugjatët, njerëzit me ngjyrë, por edhe hebrenjtë dhe kushdo tjetër që ka vuajtur nga e djathta ekstreme. Ta mësojmë apo ta përsërisim: kjo ka qenë dhe mbetet zgjedhja jonë.
*George Monbiot është kolumnist i Guardian-it/ Përgatiti për botim: L.Veizi
